Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar sot një takim në Tiranë me delegacionin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit të Suedisë, me fokus diskutimet për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështje të tjera.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Hoxha ka theksuar se ka shprehur "vlerësimin e sinqertë" për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe "për kontributin e vlefshëm" që Suedia ka dhënë gjatë viteve në zhvillimin demokratik, institucional dhe socio-ekonomik të Shqipërisë.
"Shkëmbyem mendime mbi progresin e Shqipërisë në negociatat e pranimit në BE, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së momentit të reformave dhe avancimin e mëtejshëm në prioritetet kryesore që lidhen me sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe qeverisjen e mirë. Diskutuam gjithashtu nevojën për t'u përballur me sfidat e përbashkëta rajonale dhe globale përmes koordinimit, dialogut dhe bashkëpunimit më të ngushtë midis partnerëve dhe aleatëve", është shprehur Hoxha.
Kryediplomati Hoxha ka shtuar se ka nënvizuar "angazhimin e fortë të Shqipërisë për t’i forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Suedinë", sipas tij, duke e thelluar bashkëpunimin parlamentar dhe duke e zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me rëndësi të përbashkët strategjike.
"Shqipëria e vlerëson shumë miqësinë dhe partneritetin e Suedisë dhe mezi presim ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në mbështetje të një Evrope më të fortë, më të bashkuar dhe me vizion", është shprehur Hoxha.
Delegacioni nga Parlamenti i Suedisë gjatë vizitës në Shqipëri është takuar dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.























