Në Kosovë është hapur Gjykata Administrative e cila do të jetë e specializuar për të shqyrtuar dhe vendosur çështjet në konflikte administrative dhe kontestet nga marrëdhënia e punës në juridiksionin e saj.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në ceremoninë e hapjes së Gjykatës Administrative të Kosovës, e cilësoi fillimin e funksionimit të saj si një moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.
Haxhiu tha se rëndësia e kësaj gjykate nuk qëndron vetëm në themelimin formal, por në ndikimin që do të ketë në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Fillimi i punës së Gjykatës Administrative padyshim është ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve. Në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje. Në familjet që varen nga një vendim në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Ajo shtoi se vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe se një shtet demokratik duhet të garantojë që qytetari të ketë rrugë për të sfiduar vendimet e administratës.
“Reforma pra nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Sot me hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjej dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme, e matur dhe e përgjegjshme”, u shpreh Haxhiu.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cilësoi funksionalizimin e Gjykatës Administrative të Kosovës si vënie në funksion të një mekanizmi jetik për shtetin ligjor, që do të shërbejë si mbrojtës i të drejtave të qytetarëve përballë administratës shtetërore.
“Gjykata Administrative vjen si e para e llojit të saj në Kosovë, e specializuar ekskluzivisht për trajtimin e konflikteve administrative dhe kontesteve të punës brenda sektorit publik”, tha Gërvalla.
Sipas Gërvallës administrata publike prek jetën e qytetarit çdo ditë përmes vendimeve, lejeve dhe procedurave. Prandaj, çdo vendim duhet të jetë i ligjshëm, i arsyetuar dhe, mbi të gjitha, i kontrollueshëm. Ajo bëri të ditur se institucioni nuk po e fillon punën nga pika zero, por po bart një barrë të rëndë prej mbi 10 mijë lëndëve të pazgjidhura.
Ushtruesja e detyrës së Kryesueses së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku tha se kjo gjykatë përfaqëson një risi të rëndësishme në sistemin gjyqësor.
Ajo theksoi se Gjykata Administrative do të ofrojë një mekanizëm të pavarur, profesional dhe efikas për kontrollin gjyqësor të vendimeve të organeve administrative, duke nënvizuar se funksionimi i saj kërkon bashkëpunim të mirëfilltë institucional.
Sipas saj, respektimi dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore nga organet administrative është kyç për rritjen e besimit të qytetarëve dhe forcimin e shtetit ligjor.




















