Zëvendëskryeministri i Kosovës takon përfaqësuesin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor
Në takim u diskutua rreth zhvillimeve në vend dhe situatës në rajon
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzej Franges.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se në takim u diskutua rreth zhvillimeve në vend dhe situatës në rajon.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se mbetet me rëndësi formimi sa më parë i qeverisë së re pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, dhe votimi në Kuvend mes tjerash edhe i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Planit të Rritjes me Bashkimin Evropian (BE).
Bislimi falënderoi përfaqësuesin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzej Franges, për bisedën dhe takimin duke i uruar qëndrim të frytshëm në Kosovë.
Franges në këtë takim shoqërohej nga ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.