Dy anije tregtare u goditën nga dronë mbrëmjen e së shtunës në Detin e Zi, pranë grykëderdhjes së Danubit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë. Goditjet shkaktuan zjarre në të dyja anijet.
Ekuipazhet shuan zjarret dhe nuk u raportua për viktima, shkroi portali News.ro, duke e cituar ministrinë.
Sipas ministrisë, një dron goditi anijen cisternë të naftës Evia Petrol V, që lundronte nën flamur grek, rreth orës 21:10 me orën lokale (19:10 GMT), katër milje detare në lindje-juglindje të portit rumun të Sulinës.
Rreth 35 minuta më vonë, në orën 21:45 me orën lokale, anija e mallrave rifuxho Marsol u godit pesë milje detare në juglindje të Kanalit të Sulinës. Goditja shkaktoi zjarr edhe në këtë anije.
Autoritetet rumune thanë se, teksa ndodhën incidentet, radarët ushtarakë zbuluan një objekt ajror në lindje të Ishullit të Gjarpërinjve. Dy avionë luftarakë F-16 u ngritën nga Baza Ajrore e 86-të në Fetești për të monitoruar situatën.
Rumania, anëtare e NATO-s që kufizohet me Ukrainën, ka ngritur disa herë avionë luftarakë dhe ka lëshuar paralajmërime për popullsinë pas kërcënimeve ajrore pranë territorit të saj gjatë luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.























