Erdoğan: Izraeli kërkon justifikime për t'i rifilluar masakrat në Gaza

"Kundër makinerisë propagandistike të Izraelit, të ndërtuar mbi gënjeshtra, u vranë 270 gazetarë që ekspozuan propagandën e rreme të Tel Avivit, duke treguar të vërtetën në terren", tha presidenti Erdoğan.

Erdoğan: Izraeli kërkon justifikime për t'i rifilluar masakrat në Gaza / AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se teksa grupi palestinez Hamas po vepron me kujdes në përmbushjen e marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli po kërkon justifikime për ta shkelur marrëveshjen dhe për të rifilluar masakrat e tij, raporton Anadolu.

"Të gjithë e dinë rekordin e tmerrshëm të Izraelit kur bëhet fjalë për mbajtjen e premtimeve të tij", tha Erdoğan në Forumin Botëror të TRT-së në Istanbul.

Erdoğan theksoi se në Gaza pothuajse asnjë ndërtesë e vetme nuk ka mbetur pa u prekur, duke shtuar se "shkollat, kishat, xhamitë dhe spitalet u bombarduan".

"Ata thonë 'Izraeli është i pafajshëm', si kështu", tha ai.

Presidenti turk tha se Izraeli ka armë bërthamore dhe aftësinë për të goditur Gazën "kur dhe si të dojë", duke u shprehur më tej: "Si mund të jetë ai i pafajshëm?".

Erdoğan theksoi se Izraeli tani po përdor urinë si armë vdekjeprurëse në Gaza, veçanërisht kundër fëmijëve.

"Kundër makinerisë propagandistike të Izraelit, të ndërtuar mbi gënjeshtra, u vranë 270 gazetarë që ekspozuan propagandën e rreme të Tel Avivit, duke treguar të vërtetën në terren", shtoi presidenti Erdoğan.

Ai kritikoi institucionet që janë përgjegjëse për mbrojtjen e paqes dhe stabilitetin global për dështimin në ndalimin e masakrave, parandalimin e gjenocidit dhe shpëtimin e jetës së fëmijëve.

Presidenti turk tha se pavarësisht revolucionit të komunikimit të 20 viteve të fundit, nëse fëmijët vazhdojnë të vdesin nga Azia në Afrikë, të gjithë kemi detyrimin të vëmë në pikëpyetje veten.

Sipas tij, në konfliktin e vazhdueshëm Rusi-Ukrainë së shpejti do të gjendet një terren i përbashkët, duke hapur rrugën që të dy popujt fqinje të jetojnë përsëri krah për krah në paqe.

Erdoğan gjithashtu dënoi fuqishëm mizoritë e kryera kundër civilëve në El-Fasher të Sudanit.