Në ambientet e Institutit “Yunus Emre” në Shkup u mbajt konferencë për media me rastin e koncertit të muzikës shpirtërore, i cili do të mbahet sonte, më 24 qershor, duke filluar nga ora 19:30 në Shkup.
Në koncert do të performojnë artisti i njohur dhe interpretuesi i ilahive, hafiz Burhan Shaban, si dhe mysafiri i tij, artisti turk Mustafa Demirxhi.
Në konferencën për media folën drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Shkup, Junus Dilber, drejtori i Halkbank Shkup, Fatih Shahbaz, kryetari i Shoqatës Ensar nga Shkupi, prof. dr. Sulejman Baki, në cilësinë e organizatorëve dhe mbështetësve të koncertit, ndërsa fjalime mbajtën edhe artistët Burhan Shaban dhe Mustafa Demirxhi.
Burhan Shaban nuk e fshehu kënaqësinë dhe emocionin që do të mbajë koncert në qytetin e tij të lindjes dhe në qytetin ku është rritur, duke theksuar se Shkupi ka një rëndësi të veçantë për të.
“Ky koncert për mua përfaqëson një shenjë mirënjohjeje, kujtimi dhe takimi të zemrave. T’i drejtohem popullit tim në qytetin ku kalova fëmijërinë dhe ku ëndërrova ëndrrat e mia është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet”, tha Shaban.
Ai sqaroi se koncerti mbahet në periudhën e Vitit të Ri Islam, gjë që i jep një domethënie të veçantë, dhe i ftoi dashamirët e artit të marrin pjesë në koncertin e nesërm.
Artisti Mustafa Demirci në fjalimin e tij theksoi forcën bashkuese të muzikës sufiste dhe nënvizoi se veprat që do të interpretohen në gjuhë të ndryshme, në thelb përcjellin të njëjtin mesazh.
“Arti dhe kultura, edhe pse shprehen në gjuhë të ndryshme, gjithmonë flasin për të njëjtën gjë – vëllazërinë, unitetin dhe ndjenjat e përbashkëta. Muzika sufiste është shprehja më e bukur e njohjes përmes zemrës”, theksoi Demirxhi.
Ai shtoi se ndien një lidhje të fortë shpirtërore me Shkupin dhe Ballkanin dhe shprehu shpresën se koncerti do të kontribuojë në forcimin e vëllazërisë dhe unitetit kulturor.
Kryetari i Shoqatës Ensar, prof. dr. Sulejman Baki, theksoi se koncerti organizohet me rastin e Vitit të Ri Islam dhe se do të ketë një rol të rëndësishëm, duke nënvizuar se Shkupi është një qytet që përfaqëson një urë kulturore.
Baki sqaroi gjithashtu se gjatë koncertit në Filarmoninë e Shkupit do të interpretohen vepra në gjuhën turke, shqipe, boshnjake, maqedonase dhe arabe, duke bashkuar kultura të ndryshme.
Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Shkup, Junus Dilber, deklaroi se ngjarja organizohet me rastin e 1500-vjetorit të lindjes së Profetit Muhamed.
Ai theksoi se aktivitete të ngjashme organizohen në mbarë botën dhe njoftoi se pas koncertit vizitorëve do t’u shërbehet ashure.
Drejtori i përgjithshëm i Halkbank Shkup, Fatih Shahbaz, shprehu kënaqësinë që banka mbështet aktivitetet kulturore dhe artistike, duke theksuar se interpretimi i koncertit në katër gjuhë pasqyron diversitetin kulturor të shoqërisë multietnike të Maqedonisë së Veriut.
Shahbaz theksoi se ngjarje të tilla kontribuojnë në kohezionin shoqëror përmes bashkimit të dallimeve.
Koncerti i muzikës shpirtërore do të mbahet në sallën e Filarmonisë së Maqedonisë në Shkup. Hyrja është falas.





















