Vjosa Osmani synon edhe një mandat në pozitën e presidentes së Kosovës

Në një intervistë për REL, Osmani bëri të ditur se ajo synon të kandidojë sërish për postin më të lartë në vend.

By
Vjosa Osmani synon edhe një mandat në pozitën e presidentes së Kosovës / TRT Balkan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është duke synuar të mbetet edhe për një mandat në pozitën e presidentes.

Në një intervistë për REL, Osmani bëri të ditur se ajo synon të kandidojë sërish për postin më të lartë në vend.

Osmani, e cila uroi qytetarët e Kosovës për shembullin e një demokracie të lartë elektorale me rastin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, theksoi se tani po pret për formimin e institucioneve të reja dhe paralajmëroi bisedime për mbështetje të kandidaturës së saj.

“Do të bisedoj me të gjitha partitë shqiptare. Do të duhet që të ulemi të diskutojmë dhe të shihet nëse do të dëshirojnë që të dëgjohet vullneti i qytetarit, i cili është i qartë. Në shumicën dërrmuese të matjeve shihet që diku 81 për qind e qytetarëve dëshirojnë një mandat të dytë për mua. Do të shohim nëse deputetët dëshirojnë një materializim të këtij vullneti”, tha Osmani.

Më tej, ajo tha se do ta vazhdojë angazhimin e saj politik edhe nëse deputetët nuk dëshirojnë dhe nuk kanë vullnet që ajo të zgjidhet edhe për një mandat në pozitën e presidentes.

Osmani ka paralajmëruar lajme të mira në fillim të vitit të ardhshëm derisa tha se bashkë me ekipin e saj ka bërë një punë të madhe edhe me shtetet që dëshironin t’i ngrinin raportet me Kosovën.

“Serbia ka pretenduar që ka bindur mbi 20 shtete që ta çnjohin Kosovën. Ato shtete vërtet kanë bërë deklarata në prezencë të Serbisë. Ka pasur raste kur kanë dërguar letra në Kombet e Bashkuara, ka pasur raste kur kanë dërguar letra te ne e njoftime te aleatët tanë që ne po e ngrijmë procesin e njohjes derisa të përfundojë dialogu. Unë kam punuar që të rikthehet secila prej tyre, përveç një shteti, secilën prej tyre i kam rikonfirmuar në takim me liderët e tyre. Ato kanë qenë si njohje të reja”, ka deklaruar Osmani.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, i cili fitoi shumicën e votave sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), paralajmëroi se një nga veprimet e para pas marrjes së mandatit të tij të tretë, do ta takojë presidenten Osmani dhe më pas edhe partitë opozitare, për t’i siguruar asaj mbështetjen e nevojshme për mandatin e dytë.