Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Türkiyes, gjenerali Selcuk Bayraktaroglu, është takuar në Tiranë me homologun e tij gjenerallejtënant Arben Kingji.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Kingji, theksoi se ishte kënaqësi e veçantë të presë në një takim zyrtar shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Türkiyes.
Kingji ka theksuar se kjo vizitë përbën një moment të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe sipas tij është një dëshmi e partneritetit të qëndrueshëm dhe të konsoliduar si vende mike dhe aleate.
"Diskutuam mbi rritjen e bashkëpunimit mbi zhvillimin e kapaciteteve njerëzore përmes programeve të avancuara të trajnimit dhe edukimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë operacionale përmes stërvitjeve të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushat me interes të përbashkët. Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme të Forcave të Armatosura të Turqisë ndaj Forcave tona të Armatosura të Shqipërisë, thelbësore për përmirësimin e kapaciteteve tona operacionale", është shprehur Kingji.
Gjithashtu, theksohet se gjeneral Bayraktaroglu rikonfirmoi angazhimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak dhe "vlerësoi rolin aktiv të Shqipërisë në ruajtjen e sigurisë rajonale dhe më gjerë".
Bayraktaroglu gjatë vizitës është pritur në takime zyrtare të ndara edhe nga presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.






















