Çmimet e naftës u rritën sot me më shumë se 2 për qind, pasi një sulm me dron ndaj fushës së naftës Shaybah të kompanisë saudite "Aramco" shtoi shqetësimet për ndërprerje të mëtejshme të furnizimit me energji.
Nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar, tregtohej me 111.40 dollarë për fuçi, me një rritje prej 2,4 për qind deri në orën 06:00 ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 2,22 për qind, në 99,30 dollarë për fuçi.
Sulmi, ku humbën jetën dy persona, riktheu shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike në Lindjen e Mesme, duke ndihmuar në rimëkëmbjen e çmimeve të naftës pas humbjeve të mëparshme. ShBA-ja urdhëroi disa pjesëtarë të personelit dhe familjarë të tyre të largoheshin nga misionet e saj diplomatike në Arabinë Saudite, duke shtuar shqetësimet për tensionet rajonale.
Ndërkohë, sulmet masive me dronë nga Ukraina, që këtë javë shënjestruan infrastrukturën ruse të naftës, e shtuan pasigurinë lidhur me perspektivën e furnizimit. Sulmet ndodhën në një kohë kur Moska po synonte të zgjeronte eksportet e naftës dizel në kuadër të një marrëveshjeje mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Megjithatë, rritja e dërgesave të naftës së papërpunuar nga Lindja e Mesme mund të kufizojë rritjen e mëtejshme të çmimeve, pasi flukset e eksporteve po i afrohen niveleve të para luftës. Eksportet e naftës së papërpunuar nga Arabia Saudite u rritën me 7,9 për qind në gusht, duke arritur nivelin më të lartë që nga marsi ndërsa Rusia pritej të dërgonte sot dërgesën e saj të parë të naftës dizel drejt ShBA-së.






















