BOTA
2 minuta leximi
Etiopi, ambasadori izraelit përjashtohet nga konferenca për gjenocidin në Ruandë
Avraham Neguise u përjashtua pasi shtetet anëtare refuzuan të merrnin pjesë në konferencë në praninë e tij.
Etiopi, ambasadori izraelit përjashtohet nga konferenca për gjenocidin në Ruandë
Etiopi, ambasadori izraelit përjashtohet nga konferenca për gjenocidin në Ruandë / AA
7 Prill 2025

Ambasadori i Izraelit në Etiopi, Avraham Neguise, u përjashtua të hënën nga një konferencë për gjenocidin në Ruandë e organizuar nga Bashkimi Afrikan në kryeqytetin etiopian, Addis Ababa.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme izraelite, Neguise u largua nga konferenca pasi disa shtete anëtare refuzuan të merrnin pjesë në të me praninë e tij.

Ministria gjithashtu dënoi deklaratat e bëra nga Mahmoud Youssouf, Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan, gjatë aktivitetit.

“Është e papranueshme që në një aktivitet përkujtimor për viktimat e gjenocidit ndaj Tutsive në Ruandë, ku ambasadori izraelit në Addis Ababa ishte i ftuar, [Youssouf] zgjodhi të përfshinte elementë politikë kundër Izraelit”, thuhet në deklaratë.

Izraeli kishte njoftuar në korrik 2021 se ishte bashkuar sërish me Bashkimin Afrikan si anëtar vëzhgues.

Neguise, ish-deputet i partisë në pushtet Likud, është emëruar ambasador i Izraelit në Etiopi në gusht të vitit 2024.

Në shkurt 2023, një diplomat izraelit u përjashtua nga samiti i 36-të i Bashkimit Afrikan për krerët e shteteve, gjithashtu i mbajtur në Addis Ababa.

Kjo ngjarje ndodhi ndërsa ushtria izraelite ka rifilluar një ofensivë vdekjeprurëse ndaj Gazës më 18 mars dhe që nga ajo kohë ka vrarë mbi 1.400 persona, plagosur mbi 3.400 të tjerë dhe ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve të janarit.

Më shumë se 50.700 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga tetori 2023 në ofensivën brutale izraelite, shumica gra dhe fëmijë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë