Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje të dielën Iranit që “të ndalë menjëherë grupet e tij të paguara mirë në Liban që po shkaktojnë probleme”, duke paralajmëruar se në të kundërt Uashingtoni do ta godasë Teheranin “shumë rëndë sërish”.
“Nëse nuk e bëjnë këtë, do ta godasim Iranin shumë rëndë sërish, ashtu siç bëmë javën e kaluar, vetëm edhe më fort”, shkroi Trumpi në platformën e tij Truth Social.
Sipas Fox News, Trumpi gjithashtu ka folur gjatë natës me iranianët dhe ka paralajmëruar se nëse ata mbyllin Ngushticën e Hormuzit, “nuk do të keni më një shtet”.
“Nuk do të arrini as të ktheheni në vendin tuaj të mallkuar”, citohet të ketë thënë ai.
“Mund ta marrim nën kontroll Ngushticën, nëse duhet”, tha Trumpi.
Ai shtoi se ShBA-ja mund të bëhet “engjëlli mbrojtës” i Ngushticës së Hormuzit dhe të marrë 20 për qind të naftës. “Nëse nuk arrijnë marrëveshje, do të mbledhim tarifa kalimi”, shtoi presidenti amerikan.


















