Kreu i Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM), Celeste Saulo vlerësoi përgatitjet e Türkiye për Konferencën e ardhshme të OKB-së për Klimën, të njohur si COP31, duke thënë se vendi po bën një "punë të shkëlqyer" si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë strategjik.
Duke folur për Agjencinë Anadolu (AA) në prag të konferencës, e cila pritet të nisë të hënën e ardhshme në qytetin jugor turk të Antalyas, Saulo theksoi nevojën për t'i kthyer angazhimet klimatike në veprime konkrete, duke iu referuar konferencave të mëparshme COP.
"Unë mendoj se nga COP-i i mëparshëm dhe tani edhe më shumë në COP31, ekziston një dëshirë e fortë për të kaluar nga premtimet te zbatimi. Këtu OBM-ja ka rol dhe këtu përqendrohen pritshmëritë e mia si sekretare e përgjithshme e OMB-së", tha drejtuesja e agjencisë së OKB-së.
"E mirëpres faktin që Türkiye do të jetë mikpritëse e COP31. Roli aktiv i Türkiyes në diplomacinë klimatike është shumë i qartë dhe agjenda është padyshim mjaft relevante për momentin me të cilin po përballemi", shtoi ajo.
Saulo shprehu besimin se ministri turk i Mjedisit, i Urbanizimit dhe i Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, presidenti i caktuar i COP31, do të drejtojë diskutime dhe veprime që mund ta ndryshojnë rrjedhën aktuale të përpjekjeve klimatike.
Duke vënë në pah Agjendën e Veprimit të Türkiyes për COP31, ajo theksoi rëndësinë e qasjeve të bazuara në shkencë dhe prova, si dhe të orientuara drejt veprimit. "Do të thoja se kjo është baza e këtij COP31 dhe këtu OBM-ja përshtatet në mënyrë të përkryer me këto linja", tha ajo.
Duke iu referuar vizitës së Kurum në shtator në selinë e OBM-së në Gjenevë, Saulo tha se ai kishte treguar një angazhim të qartë për forcimin e shërbimeve kombëtare meteorologjike dhe hidrologjike. Ajo theksoi përputhjen e përparësive të OBM-së me agjendën e COP31, veçanërisht në fusha të tilla si energjia e pastër, zhvillimi urban, të rinjtë dhe komunitetet.
"Ne besojmë se shkenca duhet të jetë baza për vendimmarrjen", tha ajo duke shtuar se OBM-ja ofron të dhëna dhe informacione klimatike thelbësore për hartimin e politikave. Saulo tha se fenomeni aktual El Nino, i cili pritet të arrijë nivelet më të forta drejt fundit të vitit, e nënvizon urgjencën e veprimit klimatik, qëndrueshmërisë dhe përshtatjes.
"Ajo që sjell ky fenomen El Nino është një realitet konkret i ndikimeve klimatike që po përjetojmë. Kjo është pjesë e dialogut që do të zhvillojmë gjatë COP31", tha ajo.
Türkiye po bën një punë të shkëlqyer
Saulo vuri në pah Mekanizmin e Financimit të Vëzhgimeve Sistematikе (SOFF), i cili mbështet vendet më pak të zhvilluara dhe shtetet e vogla ishullore në forcimin e sistemeve të tyre të vëzhgimit të motit dhe klimës. "Siç themi gjithmonë, nuk mund të menaxhojmë atë që nuk vëzhgojmë", tha ajo duke bërë thirrje për përpjekje të përbashkëta për përmirësimin e kapaciteteve të vëzhgimit.
Ajo theksoi rëndësinë e nismës "Paralajmërime të Hershme për të Gjithë" (Early Warnings for All), duke vënë në dukje se gjatë COP31 do të mbahet një aktivitet i nivelit të lartë kushtuar përshpejtimit të zbatimit të saj. "Ekziston një njohje e gjerë se sistemet e paralajmërimit të hershëm shpëtojnë jetë dhe gjithashtu një njohje e gjerë se po bëjmë përparim. Problemi është se përparimi nuk është aq i shpejtë sa do të dëshironim", tha ajo.
Duke shprehur dëshirën e saj për të marrë pjesë në samit, Saulo vlerësoi udhëheqjen e Türkiye dhe u bëri thirrje vendeve që të përshpejtojnë veprimet klimatike. "Sigurisht, Türkiye po bën një punë të shkëlqyer si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë strategjik. Shpresoj që të gjitha vendet të bashkohen për të ndjekur këtë ide dhe vizion madhor që qëndron pas COP31", tha ajo.
"Ju lutemi, përdorni shkencën dhe përmbajtjen e bazuar në prova për të orientuar politikat tuaja. Veproni më shpejt. Zbatoni tani", tha ajo.





















