Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski tha se rruga evropiane e vendit duhet të jetë e parashikueshme, dinjitoze dhe e bazuar në kriteret evropiane.
Mucunski, në një intervistë për televizionin "Sitel" theksoi se në procesin e integrimit evropian është i nevojshëm një dallim i qartë midis reformave thelbësore evropiane dhe çështjeve dypalëshe.
"Ajo që kërkojmë është një dallim i qartë midis reformave thelbësore dhe çështjeve dypalëshe. Ne u bëjmë të qartë të gjitha vendeve anëtare se duhet t'u jepet fund kërkesave që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe historinë tonë", theksoi Mucunski.
Ai theksoi se për shtetin janë thelbësore dy çështje. E para është sigurimi i garancive të qarta për parashikueshmërinë e procesit, të cilat do të përfshiheshin në sistemin e brendshëm juridik ose do të buronin nga institucionet evropiane.
Garanci nga institucionet evropiane
"Ndryshimet kushtetuese me zbatim të shtyrë janë një model i tillë ose duhet të ekzistojnë garanci të qarta nga institucionet evropiane", tha Mucunski.
Si çështje të dytë kyçe, ai veçoi parimin e reciprocitetit ndërkombëtar në fushën e të drejtave të njeriut.
"Kur Bullgaria pret nga ne që ta përfshijmë pakicën bullgare në Kushtetutë, më e pakta që mund të bëjë është t'i respektojë aktgjykimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me të drejtat e maqedonasve që jetojnë në Bullgari", theksoi Mucunski.
Sipas tij, në kuadër të këtyre qëndrimeve mund të arrihet një zgjidhje racionale dhe e qëndrueshme që nuk do ta vendosë sërish vendin, pas disa ditësh, javësh ose muajsh, në të njëjtën situatë.
Ai rikujtoi se vendi tashmë ka bërë lëshime të mëdha në rrugën e tij evropiane, përfshirë ndryshimin e emrit, duke theksuar se më e pakta që meriton është të vlerësohet dhe gjykohet në bazë të vlerave dhe kritereve evropiane.
"Nuk duhet të lejojmë që rruga drejt Bashkimit Evropian të na zhveshë nga identiteti ynë si shtet dhe si popull. Është detyrë e jona të kërkojmë një zgjidhje - një zgjidhje që do të jetë dinjitoze dhe e qëndrueshme", u shpreh Mucunski.

























