Qeveria shqiptare ndan 19,6 milionë euro nga buxheti për prodhimin e armatimit “Made in Albania”

Akti Normativ, i miratuar nga Këshilli i Ministrave, për Buxhetin e vitit 2025, i jep mbështetje të posaçme Ministrisë së Mbrojtjes, me synim forcimin e kapitalit njerëzor dhe të kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura.

Qeveria shqiptare ndan 19,6 milionë euro nga buxheti për prodhimin e armatimit “Made in Albania” / Ministria e Mbrojtes e Shqipërisë / FB

Qeveria shqiptare ka miratuar Aktin Normativ për Buxhetin 2025, duke rritur ndjeshëm mbështetjen për Ministrinë e Mbrojtjes për kapitalin njerëzor dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcat e Armatosura.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, njoftoi se 19,6 milionë euro (1,9 miliardë lekë) janë alokuar për nisjen e prodhimit të armatimit, mjeteve dhe pajisjeve ushtarake “Made in Albania”, si dhe për investime në infrastrukturën kritike të mbrojtjes.

Një pjesë e fondeve, rreth 13.4 milionë euro (1,3 miliardë lekë), janë rishpërndarë nga shpenzimet kapitale drejt atyre korente, kryesisht për ta mbuluar fondin e pagave dhe sigurimeve shoqërore për personelin ushtarak.

Ndërkohë, 3,63 milionë euro (352 milionë lekë) në programin “Emergjencat Civile” janë riklasifikuar si shpenzime kapitale dhe do të përdoren nga bashkitë, ndërsa 3,50 milionë (339 milionë lekë) do të shkojnë për operacionet dhe misionet jashtë vendit, Spitalin e Traumës dhe projektet në kuadër të NATO-s.

“Akti Normativ i jep buxhetit të Mbrojtjes mbështetjen e duhur për të forcuar kapitalin njerëzor dhe gjithë kapacitetet operacionale, për ta nisur prodhimin e armatimit, mjeteve dhe pajisjeve ushtarake “Made in Albania”, si dhe për t'i financuar projektet në infrastrukturën kritike”, deklaroi ministri Vengu.