Në Bosnjë e Hercegovinë u mbajt një ceremoni përkujtimore për 6 të rinj boshnjakë nga Srebrenica, të cilët u ekzekutuan me armë nga njësia paramilitare serbe e quajtur "Akrepat" gjatë luftës së viteve 1992-1995.
Në zonën pyjore në Trnovo, në lindje të kryeqytetit Sarajevë, ku u vranë 6 të rinjtë, u organizua ceremonia përkujtimore në 31-vjetorin e masakrës.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të shoqatave të viktimave të luftës dhe familjarë të të rinjve të ekzekutuar, ndërsa për të vrarët u lexuan pjesë nga Kurani dhe u bënë lutje.
Sejdalija Deliq, vëllai i Juso Deliq, i cili ishte 25-vjeçar kur u vra, tha në fjalimin e tij se prej 31 vitesh merr pjesë në ceremonitë përkujtimore për vëllain e tij.
"Ishte rrahur dhe torturuar aq shumë sa nuk e njoha dot vëllain tim. Më vonë identiteti i tij u përcaktua përmes testit të ADN-së", tha ai.
Kryetarja e Shoqatës "Nënat e Srebrenicës dhe Zhepës", Munira Subashiq, tha se edhe pse kanë kaluar 31 vjet, dhimbja e përjetuar është ende e freskët dhe se do ta vazhdojnë luftën e tyre për drejtësi.
- Çfarë ndodhi në Trnovo?
Në korrik të vitit 1995, pjesëtarët e njësisë paramilitare serbe të quajtur "Akrepat" sollën në Trnovo banorët nga Srebrenica dhe i ekzekutuan duke i shtrirë në tokë.
Më i riu ndër të vrarët ishte 16 vjeç, ndërsa më i moshuari 36 vjeç.
Pamjet e masakrës u transmetuan në atë kohë edhe nga mediat botërore dhe shkaktuan reagime të mëdha.
Pas krimeve të kryera, komandanti i njësisë serbe Sllobodan Mediq u dënua me 20 vjet burg, pjesëtari i njësisë Pero Petraseviq me 13 vjet, ndërsa Aleksandar Mediq me 5 vjet burg.






















