Kremlini: Çështja e mospranimit të Ukrainës në NATO kërkon "diskutim të veçantë"
Komentet e Peskovit vijnë një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në komentet për gazetarët, i quajti garancitë dypalëshe të sigurisë me ShBA-në, Evropën dhe vendet e tjera një "kompromis" në vend të pranimit të Ukrainës në NATO.
Rusia tha se çështja e mospranimit të Ukrainës në NATO kërkon "vëmendje të veçantë".
"Natyrisht, kjo çështje është kyç dhe meriton konsideratë të veçantë krahasuar me të tjerat", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për mediat, duke shtuar se kjo është ajo për të cilën synojnë negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje paqeje në Ukrainë.
Komentet e Peskovit vijnë një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në komentet për gazetarët, i quajti garancitë dypalëshe të sigurisë me ShBA-në, Evropën dhe vendet e tjera një "kompromis" në vend të pranimit të Ukrainës në NATO.
Deklaratat e Zelenskyyt shënojnë ndryshim të madh në qasjen e Kievit ndaj anëtarësimit në Aleancë, një ambicie që u sanksionua në Kushtetutën e Ukrainës pas një votimi parlamentar për të futur amendamente kushtetuese në vitin 2019.
Rusia ka shprehur kundërshtim të ashpër ndaj pranimit të Ukrainës në NATO, ku presidenti Vlladimir Putin e quajti një hap të tillë "kërcënim të drejtpërdrejtë" për sigurinë e Moskës vetëm disa ditë para fillimit të luftës në shkurt 2022.
Duke folur për takimet që po mbahen në Berlin mbi një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë, Peskov tha se Washingtoni nuk po e përditëson në mënyrë aktive Moskën mbi progresin e bisedimeve, por se po pret përgjigje nga pala amerikane pas përfundimit të tyre.
Të dielën, Zelenskyy, i dërguari special i ShBA-së Steve Witkoff, dhëndri i presidentit Donald Trump dhe ndihmësi jozyrtar Jared Kushner dhe delegacione nga të dyja vendet zhvilluan bisedime që zgjatën mbi pesë orë. Bisedimet rifilluan të hënën, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve "Ukrinform", duke cituar një burim në delegacionin e Ukrainës.
Me konsultimet e mëparshme të mbajtura në Zvicër dhe ShBA si dhe përveç përpjekjeve të tjera diplomatike në Istanbul, takimet janë të fundit në një seri bisedimesh të përqendruara në një kornizë paqeje për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë që zgjat më shumë se tre vjet e gjysmë.
Gjermania priti konsultimet përpara një samiti më të gjerë që pritet të mbahet të hënën në mbrëmje, ku do të mblidhen presidenti ukrainas, udhëheqës evropianë dhe përfaqësues nga BE-ja dhe NATO. Mbetet e paqartë nëse zyrtarët amerikanë do të marrin pjesë në atë takim.