Qendra e Türkiyes për Luftën kundër Dezinformimit (DMM) ka bërë të ditur se një deklaratë që po qarkullon me logon dhe kokën zyrtare të Ministrisë së Jashtme turke, lidhur me shefin e ushtrisë së Ugandës, është e rreme.
Në një deklaratë të hënën, DMM-ja tha se dokumenti, i titulluar “Lidhur me kërcënimet e Shefit të Forcave të Mbrojtjes së Ugandës, Muhoozi Kainerugaba”, është fabrikuar në mënyrë digjitale për të keqinformuar publikun.
Qendra, e cila është pjesë e Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiyes, tha se Ambasada turke në Kampala ka konfirmuar se një deklaratë e tillë nuk është publikuar në faqet zyrtare apo në kanalet e komunikimit të ministrisë dhe institucioneve të tjera përkatëse.
Deklarata theksoi se dokumenti i rremë ishte fabrikuar me mjete digjitale me synimin për të mashtruar publikun.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos u japin besim aktiviteteve të tilla dezinformuese, të bazuara në informacione të fabrikuara dhe dokumente të rreme, si dhe të ndjekin vetëm kanalet zyrtare të komunikimit të institucioneve përkatëse të Republikës së Türkiyes për informacion të saktë.























