Ministrja Shtetit e Shqipërisë dhe kryenegociatorja me Bashkimin Evropian (BE), Majlinda Dhuka, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment kyç dhe historik në rrugën e saj drejt familjes evropiane.
Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po vazhdon Samiti IV i Diasporës Shqiptare me disa panele, me pjesëmarrjen e ministrave të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, zyrtarëve të tjerë dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme nga diaspora shqiptare.
Ministrja Dhuka ishte pjesë e panelit me temë "Diaspora shqiptare si partner mbështetës për integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm", ndërkohë në fjalën e saj theksoi se kanë shumë nevojë për kontributin e diasporës për transformimin evropian të vendit.
Dhuka theksoi se tashmë Shqipëria 2030 në BE është më shumë se një aspiratë e shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë kufijve. Sipas saj, kjo është një projekt real.
"Ne kemi kaluar nga faza përgatitore për negociatat e anëtarësimit, në fazën e negociatave intensive konkrete. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka arritur t’i çelë negociatat me Bashkimin Evropian në 33 fusha, të njohura ndryshe edhe si kapituj, në të gjitha fushat, dhe aktualisht është e ulur në tryezën e bisedimeve me BE-në për anëtarësimin", tha Dhuka.
Ajo u shpreh se tani po punojnë fort në lidhje me plotësimin e kushteve të BE-së për t'u bërë vend anëtar dhe se janë duke kapërcyer në fazën kur fillojnë të mbyllin negociatat sipas fushave.
"Sigurisht që gjithë kjo rrugë drejt familjes evropiane është nga ana tjetër edhe një mundësi e madhe transformimi, që ne e quajmë transformimi evropian dhe diaspora është e pazëvendësueshme në këtë rrugë transformimi, është energjia jonë e këtij transformoi", tha Dhuka.
Ministrja Dhuka u shpreh se 92 për qind e qytetarëve evropianë e mbështesin Shqipërinë në familjen evropiane.
Samiti i Diasporës Shqiptare që do të përfundojë sot organizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën kujdesin e kryeministrit Rama.
Sipas organizatorëve, ky samit është një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni mes shqiptarëve kudo në botë. Gjithashtu theksohet se samiti përbën mundësi për të ndarë ide, përvoja dhe për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe institucioneve në Shqipëri.























