Një nga zonat më të frekuentuara turistike në Shqipëri gjatë sezonit veror, Velipoja, është përballur ditët e fundit me një situatë të rëndë mjedisore.
Bregu që zakonisht shërben si destinacion pushimi, sidomos në muajt e verës, është mbuluar nga tonelata mbeturinash të sjella nga deti.
Në zonë janë evidentuar goma, qese plastike, shishe, këpucë, mbetje inerte, dhe objekte të tjera të hedhura përgjatë lumenjve, të cilat më pas përfundojnë në det dhe rikthehen në breg si pasojë e motit të keq me të cilin është përballur Shqipëria javëve të fundit dhe dallgëve të fuqishme.
Aktivisti Mirsad Basha në një intervistë për TRT Balkan thotë se ndotja nuk është vetëm lokale, por e përhapur në të gjithë segmentin verior të vijës bregdetare.
“Sipas monitorimeve tona, situata është e njëjtë që nga zona kufitare, në Ranën e Hedhun në Lezhë, e deri në derdhjen e Bunës. Në këtë pikë grumbullohen të gjitha ujërat e lumenjve të veriut dhe liqenit të Shkodrës, të cilët mbartin edhe mbeturinat që hidhen pa kontroll përgjatë rrjedhës”, thotë ai.
Basha shton se sasia e madhe e mbeturinave që deti ka nxjerrë në breg është një pasojë e drejtpërdrejtë e ndotjes së akumuluar vit pas viti.
“Deti na ka sjellë saktësisht atë që i kemi bërë natyrës. Për vite me radhë kemi dëmtuar mjedisin dhe tani natyra po na e kthen mbrapsht”, u shpreh aktivisti.
Sipas tij, ndotja e vijës bregdetare paraqet jo vetëm një goditje të fortë për imazhin turistik të zonës, por më së pari një rrezik të lartë mjedisor dhe shëndetësor.
“Dëmi është kolosal, sidomos për turizmin, pasi krijon një imazh tepër negativ. Por më shqetësues mbetet dëmi mjedisor, i cili ndikon drejtpërdrejt te shëndeti dhe ekosistemet e zonës”, nënvizon Basha.
Në kushtet aktuale, aktivistët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme në terren dhe organizim të aksioneve të pastrimit jo vetëm si iniciativë e pavarur, por bashkë me instancat shtetërore.
“Duhet një reagim i shpejtë. Sa më shumë persona të mobilizohen, aq më shpejt mund të zgjidhet kjo situatë. Pastrimi është hapi i parë që duhet ndërmarrë menjëherë” tha Basha, duke theksuar se nevojiten gjithashtu masa afatgjata për menaxhimin e mbetjeve dhe parandalimin e ndotjes.






















