Armenia: Dërgesa e parë e karburantit nga Azerbajxhani po hyn në vend përmes Gjeorgjisë
Ministri i Ekonomisë, Gevorg Papoyan, shkroi në rrjetet sociale se një tren me 22 vagonë, që “transporton 1.300 tonë benzinë A95 me origjinë nga Azerbajxhani”, aktualisht po kalon kufirin me Gjeorgjinë fqinje.
Armenia ka njoftuar se dërgesa e parë e karburantit nga Azerbajxhani po hyn në vend përmes Gjeorgjisë fqinje.
Ministri i Ekonomisë, Gevorg Papoyan, shkroi në rrjetet sociale se një tren me 22 vagonë, që “transporton 1.300 tonë benzinë A95 me origjinë nga Azerbajxhani”, aktualisht po kalon kufirin me Gjeorgjinë fqinje.
Papoyan tha se treni po hyn në Armeni përmes stacionit hekurudhor në qytetin Ayrum.
“Ndoshta kjo është transaksioni i parë tregtar dhe ekonomik mes Armenisë dhe Azerbajxhanit jo vetëm pas vendosjes të paqes mes dy vendeve, por edhe pas pavarësisë në përgjithësi”, shtoi ai.
Deklarata e ministrit armen vjen vetëm një ditë pasi agjencia shtetërore azerbajxhanase e lajmeve Azertac raportoi se Kompania Shtetërore e Naftës e Azerbajxhanit (SOCAR) po dërgon për herë të parë produkte të naftës të prodhuara në vend drejt Armenisë.
Sipas raportimit, 1.220 tonë karburant të ngarkuara në 22 vagonë hekurudhorë u nisën nga një terminal në Baku dhe po transportohen drejt Gjeorgjisë fqinje, përmes së cilës do të dorëzohen në Armeni.
Dje, sipas agjencisë shtetërore armene të lajmeveArmenpress, kryeministri armen, Nikol Pashinyan, e përshëndetj këtë zhvillim.
“Tregtia po zhvillohet mes kompanive private. Por, sigurisht, është paqja e vendosur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ajo që ka krijuar kushtet politike për këtë tregti”, tha Pashinyan.
Në tetor, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, njoftoi se Baku kishte hequr të gjitha kufizimet për tranzitin e mallrave drejt Armenisë, gjë që u përshëndet nga kryeministri Pashinyan si një “njoftim jashtëzakonisht i rëndësishëm.”
Dy fqinjët e Kaukazit Jugor në muajin gusht nënshkruan një deklaratë në një samit trepalësh në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me presidentin amerikan, Donald Trump, për t’u dhënë fund dekadave të konfliktit, duke u angazhuar për ndalimin e armiqësive, rihapjen e rrugëve të transportit dhe normalizimin e marrëdhënieve.