| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kryediplomati i Bosnjës e Hercegovinës, Konakoviq: "Türkiye është superfuqi"
"Türkiye është superfuqi. Pas zhvillimeve në Siri dhe në rajon, Türkiye ka dalë plotësisht në plan të parë në skenën ndërkombëtare dhe është bërë një nga partnerët më të rëndësishëm të ShBA-së", tha Konakoviq.
Kryediplomati i Bosnjës e Hercegovinës, Konakoviq: "Türkiye është superfuqi"
Kryediplomati i Bosnjës e Hercegovinës, Konakoviq: "Türkiye është superfuqi" / TRT Balkan
26 Janar 2026

Ministri i Jashtëm i Bosnjës e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, deklaroi se Türkiye kohët e fundit është bërë një superfuqi në politikën globale. 

Në konferencën e tij vjetore për mediat, Konakoviq vlerësoi rrugën dhe zhvillimet e politikës së jashtme të vendit të tij. Ai e përshkroi marrëdhënien midis Türkiyes dhe Bosnjë e Hercegovinës si "fantastike" dhe falënderoi presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrin e Jashtëm Hakan Fidan.

Duke iu referuar Takimit të Dytë të Ministrave të Jashtëm të Platformës së Paqes në Ballkan, të mbajtur në Stamboll nën kryesinë e ministrit Fidan, Konakoviq deklaroi: "Türkiye është një superfuqi. Pas zhvillimeve në Siri dhe në rajon, Türkiye ka dalë plotësisht në plan të parë në skenën ndërkombëtare dhe është bërë një nga partnerët më të rëndësishëm të ShBA-së".

"Organizimi i këtij eventi nga Fidan dhe vendimi i presidentit Erdoğan për të na kushtuar kohë pavarësisht agjendës së tij të ngjeshur, duke iu drejtuar secilit vend një e nga një, tregon qartë rëndësinë që Türkiye i jep Ballkanit Perëndimor. Türkiye ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet dhe është ndërmjetës shumë efektiv në këto procese", tha Konakoviq.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Konakoviq tha se këtë vit do të vendosin viza për shtetasit e një vendi, por që padyshim nuk do të jetë Türkiye dhe se ai nuk e konsideron këtë realiste. "Kjo nuk do të jetë Türkiye. Nuk e shoh këtë si të mundur gjatë mandatit tim dhe kjo çështje nuk do të më prekë mua", shtoi ai.

Konakoviq theksoi gjithashtu se Türkiye ka investuar më shumë në Bosnjë e Hercegovinë sesa në Serbi dhe se kjo ka forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë