| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Siria mohon dërgimin e trupave të saj në Jemen
"Nuk ka asnjë dislokim të forcave siriane në Jemen, e as nuk ka plane për ta bërë këtë në të ardhmen e afërt", tha ministri i Jashtëm sirian, Al-Shaibani.
Siria mohon dërgimin e trupave të saj në Jemen
Siria mohon dërgimin e trupave të saj në Jemen/ AA

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shaibani, deklaroi sot se vendi i tij nuk ka dërguar trupa në Jemen dhe nuk ka plane të menjëhershme për të bërë një gjë të tillë, duke theksuar se marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak me Arabinë Saudite nuk përfshin dërgimin e forcave siriane në vendin e shkatërruar nga lufta.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për mediat me homologun e tij jordanez, Ayman Safadi në Pallatin Tishreen në Damask, Shaibani tha se çdo dislokim i ushtrisë siriane jashtë vendit do të bëhet publik, e jo në mënyrë të fshehtë.

"Nuk ka asnjë dislokim të forcave siriane në Jemen, e as nuk ka plane për ta bërë këtë në të ardhmen e afërt", tha ai. Shaibani rikonfirmoi mbështetjen e Sirisë për qeverinë e Jemenit, të njohur ndërkombëtarisht dhe i dënoi kërcënimet e grupit Huthi ndaj Arabisë Saudite.

Ai shprehu shpresën se Jemeni do ta rimarrë stabilitetin dhe se vuajtjet e popullit të tij do të marrin fund, ndërkohë që edhe Siria përpiqet të rimëkëmbet pas vitesh konflikti. Ministri theksoi se Damasku mbetet i përqendruar te rindërtimi, lehtësimi i kthimit të refugjatëve dhe rindërtimi i infrastrukturës së shkatërruar gjatë luftës.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur ka patur raportime se Siria po përgatitet të dërgojë trupa në Arabinë Saudite dhe Jemen për të mbështetur operacionet kundër Huthive.

Të shtunën, një burim diplomatik sirian i tha agjencisë siriane arabe të lajmeve (SANA) se marrëveshjet ushtarake me Arabinë Saudite kufizohen vetëm në trajnim, shkëmbim ekspertize dhe konsultime ushtarake, duke i hedhur poshtë raportimet për dërgimin e trupave siriane në Jemen.

Burimi bëri të ditur se vizitat koordinuese saudite në Siri do të fillojnë në dhjetor, duke shtuar se bashkëpunimi ushtarak "mund të çojë në një marrëveshje të mbrojtjes së ndërsjellë ose në anëtarësimin e Sirisë në Aleancën e Mbrojtjes së Mekës, në varësi të interesave të përbashkëta".

Aleanca e Mbrojtjes së Mekës përbëhet nga Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani.

Më 4 nëntor, Ministria e Jashtme e Sirisë njoftoi se Damasku dhe Riadi nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi ushtarak gjatë vizitës së presidentit sirian, Ahmad al-Sharaa, në kryeqytetin saudit, ku ai u takua me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.

Më 5 tetor, Türkiye, Arabia Saudite dhe Pakistani zhvilluan takim urgjent në Riad për t'i diskutuar kërcënimet me të cilat përballet mbretëria dhe njoftuan emërimin e sekretarit të parë të përgjithshëm të aleancës, sipas një deklarate të përbashkët.