| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kryediplomati maqedonas Mucunski: Procesi i anëtarësimit në BE duhet të mbetet i bazuar në merita
Mucunski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me Spanjën në diskutimet e ardhshme për të ardhmen e politikës së zgjerimit.
Kryediplomati maqedonas Mucunski: Procesi i anëtarësimit në BE duhet të mbetet i bazuar në merita
Kryediplomati maqedonas Mucunski: Procesi i anëtarësimit në BE duhet të mbetet i bazuar në merita

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski sot zhvilloi takim me Fernando Mariano Sampedro Marcos, sekretar shtetëror për Bashkimin Evropian (BE) në Ministrinë e Punëve të Jashtme, BE-së dhe Bashkëpunimit të Spanjës.

Sipas njoftimit të ministrisë, në fokus të bisedimeve ishin integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimet aktuale në procesin e zgjerimit të BE-së.

Ministri Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Spanjës për perspektivën evropiane të vendit si dhe për përkushtimin e saj që zgjerimi të mbetet ndër prioritetet strategjike të BE-së.

Mucunski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me Spanjën në diskutimet e ardhshme për të ardhmen e politikës së zgjerimit.

"Procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i besueshëm, i parashikueshëm, i barabartë për të gjithë dhe i bazuar në merita, me një synim të qartë përfundimtar - anëtarësim të plotë në BE, paralelisht me avancimin e formave praktike të integrimit gradual", theksoi ministri.

Njëkohësisht, ai e informoi bashkëbiseduesin për rezultatet e zbatimit të Agjendës së Reformave dhe përkushtimin e Qeverisë për zbatimin konsekuent të vlerave dhe standardeve evropiane në nivel kombëtar.

Bashkëbiseduesit konfirmuan rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në kuadër të proceseve evropiane si dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së besueshmërisë së politikës së zgjerimit dhe përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë