Në Shqipëri është zhvilluar ceremonia zyrtare e homazheve për ish-kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, i cili u nda dje nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Homazhet në nder të Pëllumbit u mbajtën në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë, drejtuesve të institucioneve, ministrave, deputetëve dhe qytetarëve.
Homazhe për ish-kryeparlamentarin e Shqipërisë bënë edhe presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Niko Peleshi dhe zyrtarë të tjerë.
Në fjalën e tij në ceremoni, Rama u shpreh se beson se gjithkush që e ka njohur Pëllumbin e kujton dhe do ta kujtojë si "një burrë të mirë, të ndershëm dhe të mençur".
"Profesori do të mbetet një pikë referimi në historinë e ndryshimeve dhe të ndryshimit të epokave, pa dyshim një pikë referimi edhe për të gjithë ato që do të duan një ditë të kuptojnë dinamikat dhe historinë e vetë Partisë Socialiste", u shpreh Rama.
Servet Pëllumbi u nda nga jeta më 5 maj në moshën 89-vjeçare. Ai ishte një prej figurave themeluese të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe konsiderohet si ndër personalitetet më të spikatura të politikës shqiptare në periudhën e tranzicionit.
Pëllumbi ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2002-2005, ndërkohë ka shërbyer në disa legjislatura si deputet dhe ka mbajtur edhe poste drejtuese në Partinë Socialiste të Shqipërisë.



















