Türkiye dhe Maqedonia e Veriut festojnë 34-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, të bazuara në historinë e përbashkët, lidhjet kulturore dhe mbështetjen e ndërsjellë politike, ndërsa Türkiye, me 2 miliardë dollarë, është investitori i dytë më i madh në vend.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, Türkiye dhe Maqedonia e Veriut vendosën marrëdhënie diplomatike më 26 gusht 1992.
Türkiye ishte ndër shtetet e para që e njohu vendin në periudhën kur ai fitoi pavarësinë.
Türkiye gjithashtu ishte shteti i parë që e njohu Maqedoninë e Veriut me emrin e saj kushtetues dhe vendi i parë që emëroi ambasador në Shkup.
Që nga pavarësia e saj, Türkiye ka mbështetur integritetin territorial, sovranitetin dhe pandryshueshmërinë e kufijve të vendit, si dhe ka mbështetur procesin e integrimit të Shkupit në institucionet euroatlantike.
Pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO në mars të vitit 2020, të dyja vendet i çuan marrëdhëniet në një dimension tjetër brenda së njëjtës aleancë. Vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë në periudhën e fundit gjithashtu i kanë dhënë hov marrëdhënieve.
Vizitat e ndërsjella, hov marrëdhënieve dypalëshe
Takimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, me presidentin Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës së tij në Türkiye më 28 shkurt 2025 dhe nënshkrimi i deklaratës së përbashkët politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes dy vendeve u veçuan si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Presidenti Erdogan më 16 prill 2026 në Istanbul u takua gjithashtu me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Në takim u diskutua për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e tregtisë, industrisë së mbrojtjes dhe energjisë, krahas marrëdhënieve dypalëshe.
Më pas, Siljanovska-Davkova mori pjesë edhe në Forumin e Diplomacisë në Antalya, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe delegacionin shoqërues.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski, së fundmi vizitoi Türkiyen më 13 qershor 2026, ku u takua me presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe mori pjesë në Forumin e Biznesit Türkiye-Maqedoni e Veriut të zhvilluar në Istanbul.
Në dimensionin parlamentar, vëmendje tërheqin gjithashtu vizitat e nivelit të lartë. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Türkiye më 2-5 tetor 2024. Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes, Numan Kurtulmuş, gjithashtu zhvilloi një vizitë treditore në vend më 21-23 dhjetor 2024.
Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan, vizitoi Shkupin dy herë, në qershor dhe shtator të vitit 2024.
Në dimensionin parlamentar, edhe Grupet e Miqësisë zhvilluan vizita të ndërsjella.
Dy miliardë euro investimeve turke në Maqedoninë e Veriut
Në themel të marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes qëndrojnë kompanitë dhe institucionet që veprojnë në vend.
Kompanitë turke në Maqedoninë e Veriut veprojnë në sektorë si bankat, ndërtimi, shëndetësia, menaxhimi i aeroporteve, arsimi, tekstili dhe konfeksionet, qumështi dhe produktet e qumështit, sigurimet, hoteleria dhe turizmi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Türkiyes, rreth 1.900 kompani turke me një vlerë totale investimesh që arrin në rreth 2 miliardë dollarë, e bëjnë Türiyen investitorin e dytë më të madh të huaj në vend dhe kontribues në mirëqenien e vendit.
Ushtria e Maqedonisë së Veriut modernizohet me pajisje të industrisë turke të mbrojtjes
Zyra Ballkanike e ASELSAN-it gjithashtu filloi aktivitetet në Shkup në vitin 2024 me hapjen e zyrës së saj, me një qasje "që mund t'u shërbejë të gjitha vendeve mike dhe aleate".
Në këtë kuadër, Türkiye jep gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në procesin e modernizimit të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut.
Përveç pajisjeve të ndryshme ushtarake të dhuruara Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut në periudhën e fundit, Maqedonia e Veriut ka siguruar nga Türkiyes Sistemin e Komandës dhe Kontrollit të Mbështetjes së Zjarrit ADOP 300-T dhe Sistemet e Kontrollit të Zjarrit Artilerik VOLKAN 230/105, të zhvilluara nga ASELSAN, si dhe obusin e lehtë tërheqës BORAN dhe pajisje të tjera përkatëse, të zhvilluara me mundësi vendore dhe kombëtare nga Industria e Makinerive dhe Kimikateve (MKE), institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Türkiyes.
Të dyja vendet marrin pjesë në stërvitjet e zhvilluara në të dyja vendet. Shefi i atëhershëm i Shtabit të Përgjithshëm të Republikës së Türkiyes, gjenerali Metin Gurak, zhvilloi vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut më 16-17 tetor 2024.
Maqedonia e Veriut merr pjesë në panairet e industrisë së mbrojtjes në Türkiye, ndërsa vazhdojnë edhe kontaktet e nivelit të lartë ushtarak.
Mbështetja e institucioneve dhe organizatave turke për arsimin, transportin, kulturën dhe ekonominë në Maqedoninë e Veriut
Institucionet dhe organizatat turke që veprojnë në Maqedoninë e Veriut kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në një gamë të gjerë fushash, nga arsimi dhe kultura deri te transporti, media dhe aktivitetet zhvillimore.
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), përmes projekteve të ndryshme që ka realizuar në vend, ofron mbështetje në fushat e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës dhe zhvillimit social, ndërsa Instituti Yunus Emre (YEE) zhvillon aktivitete për promovimin e gjuhës dhe kulturës turke.
Fondacioni Turk Maarif (TMV), me shkollat e tij në Shkup dhe Tetovë, ku mësojnë qindra nxënës, kontribuon në zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, si dhe të lidhjeve njerëzore mes dy vendeve.
Përveç marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, vëmendje tërheq edhe prania e institucioneve turke në vend në fushën e komunikimit dhe transportit. Halkbank, përmes aktiviteteve të saj në fushën e financave dhe bankave, kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, ndërsa Turkish Airlines (THY) luan një rol të rëndësishëm si në forcimin e lidhjeve të transportit mes dy vendeve, ashtu edhe në lehtësimin e lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me vendet e tjera.
Në mars të vitit 2025, në tragjedinë e zjarrit në një klub nate në Koçan, ku humbën jetën dhe u plagosën dhjetëra persona, 12 nga të plagosurit u dërguan në Türkiye me avionë ambulancë nën koordinimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Türkiyes, ku u trajtuan dhe më pas u kthyen me shëndet të rikthyer në vendin e tyre.
Korporata Turke e Radios dhe Televizionit (TRT) dhe Agjencia Anadolu (AA), përmes aktiviteteve të tyre mediatike, kontribuojnë në përcjelljen te publiku të zhvillimeve mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe në forcimin e kanaleve të komunikimit mes dy vendeve.























