Kapiteni i Kombëtares së Türkiyes në futboll, Hakan Çalhanoglu, vlerësoi lart Kombëtaren e Kosovës, duke theksuar se ajo tashmë është një ekip i fortë me lojtarë cilësorë dhe organizim të mirë.
Duke folur në konferencën për media para ndeshjes së të martës me Kosovën në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Çalhanoglu tha se arritja deri në këtë fazë tregon qartë nivelin organizimit të skuadrës kosovare.
"Kombëtarja e Kosovës tani është e fortë, ata kanë lojtarë cilësorë, kjo duhet vlerësuar", tha Çalhanoglu.
Sipas tij, Kosova është një ekip që luan shumë mirë në kundërsulme dhe ka disa futbollistë që mund të jenë vendimtarë në çdo moment.
Çalhanoğlu veçoi sulmuesin Vedat Muriqi si shumë të rrezikshëm para portës, si dhe talentin Fisnik Asllani.
“Unë di disa fjalë shqip... Kam një rreth shumë të afërt kosovar dhe i dua të gjithë. Kemi biseda të bukura. Janë biseda në frymë respekti dhe dashurie të ndërsjellë”, tha ndër të tjera Çalhanoğlu.
Megjithatë, kapiteni i Türkiyes tha se beson fort se skuadra e tij do ta realizojë “ëndrrën” e tij për t’u kualifikuar në Botëror.
“Kjo është pa dyshim ndeshja ime e karrierës. E kam ëndërruar këtë që kur zgjodha ekipin kombëtar. Jam shumë afër, shpresoj se do të ndodhë. Kemi punuar shumë për këtë, ia dolëm mbanë deri këtu. Do të japim maksimumin”, theksoi Çalhanoglu.





















