Kancelari gjerman Friedrich Merz të premten kritikoi presidentin e ShBA-së, Donald Trump, për lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj Rusisë, në një kohë kur çmimet e naftës po rriten për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store, Merz tha se presioni ndaj Rusisë duhet të rritet, jo të lehtësohet, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne diskutuam çështjen e furnizimeve me naftë dhe gaz nga Rusia me Presidentin e ShBA-së këtë javë gjatë takimit të G7-ës”, tha Merz, duke iu referuar bisedës me video të së mërkurës mes liderëve të G7-ës.
“Kishte një konsensus shumë të qartë mes gjashtë anëtarëve të G7-ës se ky nuk është sinjali i duhur për t’u dërguar. Pastaj mësuam këtë mëngjes se administrata amerikane duket se tashmë e ka marrë vendimin e saj”, vazhdoi ai.
“Edhe një herë, ne besojmë se ky është një veprim i gabuar. Aktualisht kemi një problem me çmimin, jo me furnizimin. Në këtë drejtim, do të doja të dija se cilat motive të tjera e çuan administratën amerikane drejt këtij vendimi.”




















