Merzi i Gjermanisë kritikon Trumpin për lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse
Kancelari thotë se vendimi i ShBA-së për të hequr përkohësisht sanksionet është “i gabuar” dhe premton mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, kritikoi të premten Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj Rusisë, në një kohë kur çmimet e naftës po rriten për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, shefi i Berlinit zyrtar tha se presioni ndaj Rusisë duhet të rritet, jo të lehtësohet, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne diskutuam çështjen e furnizimeve me naftë dhe gaz nga Rusia me Presidentin e ShBA-së këtë javë gjatë takimit të G7-s”, tha Merzi, duke iu referuar bisedës me video të së mërkurës mes liderëve të G7-s.
“Kishte një konsensus shumë të qartë mes gjashtë anëtarëve të G7-s se ky nuk është sinjali i duhur për t’u dërguar. Pastaj mësuam këtë mëngjes se administrata amerikane duket se tashmë e ka marrë vendimin e saj”, vazhdoi ai.
“Edhe një herë, ne besojmë se ky është një veprim i gabuar. Aktualisht kemi një problem me çmimin, jo me furnizimin. Në këtë drejtim, do të doja të dija se cilat motive të tjera e çuan administratën amerikane drejt këtij vendimi”, u shpreh kancelari gjerman mes të tjerash.