Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka paralajmëruar për një krizë energjetike dhe inflacioni të shkaktuar nga kriza e vazhdueshme në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas gazetës "Kathimerini", duke folur në një ngjarje në Athinë mbi tranzicionin energjetik në Ballkan dhe Mesdheun Lindor, Mitsotakis ritheksoi mbështetjen për një zgjidhje diplomatike të krizës, ndërsa tha se Irani “nuk mund të ketë armë bërthamore”.
Duke e theksuar seriozitetin e situatës, ai tha se çdo javë që Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur shton presion shtesë mbi zinxhirin global të furnizimit.
“Ne jetojmë në një botë të ndërlidhur. Nuk mund të mendojmë se një ndërprerje e madhe në furnizimin fizik me naftë dhe produkte të naftës nuk do të prekë askënd”, shtoi ai.
Mitsotakis gjithashtu argumentoi se Evropa ka lëvizur shumë shpejt larg infrastrukturës së karburanteve fosile.
“Mund të mendojmë se kemi mbaruar me karburantet fosile në Evropë, por karburantet fosile nuk kanë mbaruar ende me Evropën”, tha ai.






















