| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Mbi 100 punonjës të arsimit janë lënduar gjatë protestave të nxënësve në Francë
Sipas një bilanci të mëparshëm, që nga fillimi i protestave janë lënduar 215 nxënës dhe afër 800 policë dhe xhandarë.
Mbi 100 punonjës të arsimit janë lënduar gjatë protestave të nxënësve në Francë
Mbi 100 punonjës të arsimit janë lënduar gjatë protestave të nxënësve në Francë

Ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, ka bërë të ditur se më shumë se 100 punonjës të arsimit janë lënduar që nga fillimi i protestave mbarëkombëtare të nxënësve të shkollave të mesme në Francë, ndërsa nxënësit vazhduan bllokadat për të kërkuar kushte më të mira të të nxënit. 

"Fatkeqësisht, dje e kaluam shifrën prej 100 punonjësish të lënduar“, u tha Geffray gazetarëve pas takimit me nxënës dhe mësimdhënës në një shkollë të mesme në Cachan pranë Parisit. Siç raporton gazeta "Le Parisien", ai e dënoi “dhunën e papërshkrueshme“ dhe i vlerësoi punonjësit që kishin mbrojtur nxënësit dhe ndërtesat shkollore.

Sipas një bilanci të mëparshëm të publikuar nga gazeta, që nga fillimi i protestave janë lënduar 215 nxënës dhe afër 800 policë dhe xhandarë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, dje në të gjithë Francën protestuan rreth 71.500 persona, përfshirë 24.500 në Paris. Autoritetet raportuan 504 arrestime dhe 48 policë e xhandarë të lënduar gjatë protestave të asaj dite.

Nxënësit po protestojnë kundër mungesës së mësimdhënësve, klasave të mbipopulluara, kushteve të papërshtatshme dhe orareve shkollore. Geffray tha se po kontaktoheshin 3.024 mësimdhënës zëvendësues për t’u angazhuar në shkolla ndërsa pritet që detyrat e tyre të caktohen më vonë gjatë ditës ose në fillim të javës së ardhshme. Gjithashtu, po rekrutohen edhe mësimdhënës të tjerë me kontratë.

Megjithatë, organizatat e nxënësve bënë thirrje për një ditë tjetër protestash më 13 tetor, ndërsa disa përfaqësues kërkuan takim me kryeministrin e Francës, Sebastien Lecornu. Bllokadat vazhduan sot në qytete si Parisi, Rennes dhe Strasbourg. Mësimi u anulua në kompleksin shkollor Lamartine në Paris dhe gjatë paradites në Universitetin Pantheon-Assas.

Ndërkohë, prokurorët në Paris hapën një hetim pasi në internet qarkulloi një video që duket se tregon një polic duke e goditur me gju në fytyrë një protestues. Me këtë rast, numri i hetimeve që prokurorët ua kanë referuar Inspektoratit të Përgjithshëm të Policisë Kombëtare (IGPN) në Paris për dhunë të dyshuar policore të lidhur me protestat arriti në pesë ndërsa numri i rasteve në nivel kombëtar ka kaluar 21.

Udhëheqësja e Sindikatës CFDT, Marylise Leon i mirëpriti angazhimet e mësimdhënësve si hapin e parë, por tha se kërkesat më të gjera të nxënësve mbeten të pazgjidhura. Ajo vuri në pikëpyetje proporcionalitetin e reagimit të policisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë