| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosova miraton tri projektligje për marrëveshjet e bashkëpunimit juridik me Suedinë
"Marrëveshja për ekstradim përcakton kushtet dhe procedurat për dorëzimin e personave të kërkuar për ndjekje penale ose për vuajtjen e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet gjyqësore", tha ministrja Gërvalla.
Kosova miraton tri projektligje për marrëveshjet e bashkëpunimit juridik me Suedinë
Kosova miraton tri projektligje për marrëveshjet e bashkëpunimit juridik me Suedinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve me Mbretërinë e Suedisë në fushën e drejtësisë, që përfshijnë ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.

Në mbledhjen e Qeverisë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të projektligjeve, theksoi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit juridik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë dhe të krijimit të bazës së nevojshme ligjore për trajtimin më efektiv të çështjeve penale me element ndërkombëtar.

Gërvalla ka bërë të ditur se Marrëveshja për ekstradim përcakton kushtet dhe procedurat për dorëzimin e personave të kërkuar për ndjekje penale ose për vuajtjen e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet gjyqësore.

Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në çështjet penale lehtëson procedurat ligjore duke mundësuar një bashkëpunim më efikas në luftimin e kriminalitetit dhe në administrimin e drejtësisë.

Marrëveshja për transferimin e personave të dënuar rregullon procedurat për transferimin e tyre në shtetin ku kanë vendbanimin e përhershëm, duke synuar krijimin e kushteve më të përshtatshme për rehabilitim dhe riintegrim në shoqëri.

Gërvalla tregoi se ratifikimi i këtyre Marrëveshjeve, synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, të lehtësojë trajtimin e procedurave penale dhe të kontribuojë në luftimin e krimit, në përputhje me standardet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë