Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se ka prezencë të sëmundjes që prek delet dhe dhitë me emrin “Murtaja e Ruminantëve të Vegjël” (PPR), në një fermë në fshatin Landovicë të komunës së Prizrenit.
Sipas njoftimit nga AUV-ja, pas informacioneve të marra, janë aktivizuar menjëherë ekipet e inspektorëve të mjekësisë veterinare, të cilët kanë vendosur masën e kufizimit të lëvizjes në fermën e dyshuar, nga e cila janë marrë mostrat për testim.
"Sot në mëngjes Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar prezencën e sëmundjes në fermën e dyshuar. Mostrat e testuara në fermat përreth kanë rezultuar negative. Në zbatim të mandatit ligjor bazuar në rezultat të analizave laboratorike, AUV-ja ka shpallur fshatin Landovicë vatër të infektuar, në perimetër prej 3 kilometër nga ferma e prekur. Kjo zonë është vendosur në masë karantine, ndalim të lëvizjes se çdo kafshe, transport apo qarkullim të produkteve dhe nënprodukteve të kafshëve”, njoftoi AUV-ja.
Agjencia kosovare ka vënë fermat përreth nën masën e dyshimit për hulumtim epidemiologjitk, hulumtimin e burimit të infektimit dhe kontakteve të mundshme me fermën e infektuar.
Më tej, theksohet se janë vënë në zbatim masat e biosigurisë në ferma, si dhe dezinfektimi i fermave dhe zonave përreth sipas protokolleve veterinare.
AUV-ja, po ashtu, nxori vendim të menjëhershëm për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes PPR, bazuar në Ligjin për Veterinarinë dhe i cili do të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës, të cilat ndër të tjerash përfshinë ndalimin e lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, tregtimin në tregje dhe shitblerjen, groposjen e kafshëve në fermat të cilat rezultojnë të infektuara me PPR, njoftimin e menjëhershëm të institucioneve kur haset në infeskione, si dhe të tjera.
Sëmundja PPR (Peste des Petits Ruminants), e njohur si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo karakterizohet nga simptoma të rënda si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni dhe kollitje e fortë.
Megjithëse ajo nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, kafshëve u shkakton dëme të konsiderueshme duke ua rritur nivelin e ngordhshmërisë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë blegtorale.


















