Siria përshëndeti vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t'i hequr presidentin Ahmad al-Sharaa dhe ministrin e Brendshëm Anas Khattab nga lista e sanksioneve për DEASh-in dhe Al-Kaidën, duke e quajtur atë një dëshmi të mëtejshme të legjitimitetit diplomatik në rritje të Damaskut.
Në një deklaratë në rrjetin social amerikan X, ministri i Jashtëm Asaad al-Shaibani tha:
“Edhe një herë, dhe jo për herë të fundit, diplomacia siriane riafirmon praninë e saj aktive dhe aftësinë për të bërë përparim të qëndrueshëm në heqjen e pengesave dhe në hapjen e rrugës drejt një të ardhmeje siriane më të hapur dhe më të qëndrueshme”.
Siria shprehu “mirënjohjen e saj ndaj ShBA-së dhe vendeve mike për mbështetjen e tyre ndaj Sirisë dhe popullit të saj”.
Rezoluta, e hartuar nga Shtetet e Bashkuara, u miratua me 14 vota pro dhe një abstenim nga Kina, duke shënuar një konsensus të rrallë në Këshill për lehtësimin e kufizimeve që lidhen me udhëheqjen siriane.























