NATO-ja vazhdon "të mbështesë plotësisht" dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja
Shekerinska përmendi përkushtimin e fortë të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si strategjik për aleancën dhe theksoi bashkëpunimin me BE-në në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë.
NATO-ja ka riafirmuar mbështetjen e saj të plotë për dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, duke e theksuar rëndësinë e një zgjidhjeje politike për stabilitetin afatgjatë në rajon.
Siç njofton NATO, këtë e tha zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, në një takim me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Peter Sorensen, në selinë e NATO-s në Bruksel.
Ajo përmendi përkushtimin e fortë të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si strategjik për aleancën dhe theksoi bashkëpunimin me BE-në në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë.
Përmes misionit të saj paqeruajtës KFOR, tha Shekerinska, NATO-ja “vazhdon të bëjë atë që është e mundur në aspektin ushtarak në terren për të garantuar paqen, në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”.
“Por, zgjidhja përfundimtare për stabilitet të qëndrueshëm rajonal është politike. Në këtë drejtim, NATO-ja vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përpjekjet e përfaqësuesit të posaçëm Sorensen”, tha ajo.
Shekerinska gjithashtu theksoi nivelin e lartë të bashkëpunimit midis NATO-s dhe BE-së, duke shtuar se koordinimi i vazhdueshëm është thelbësor për përparimin e dialogut. Ajo tha se aleatët kanë rënë dakord të rrisin mbështetjen për përpjekjet e BE-së në këtë proces.
Ambasadori Sorensen po ashtu mori pjesë në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku ishin të pranishëm edhe partnerët e NATO-s që kontribuojnë me personel në misionin KFOR.
KFOR-i vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si reagues të sigurisë.