Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu, pas miratimit nga Kuvendi ka autorizuar edhe ajo dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
“Ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar”, tha Haxhiu.
Më tej, Haxhiu theksoi se nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, sot Kosova merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, shtoi ajo.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan këtë marrëveshje më 17 prill, ndërsa Qeveria e kaloi projektligjin më 30 mars.
Më parë, kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se FSK-ja është e gatshme. të marrë pjesë në këtë forcë ndërkombëtare dhe për ta ndihmuar popullin e Gazës, edhe për shkak se vetë Kosova ka qenë përfituese e forcave ndërkombëtare që nga vitit 1999.






















