| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Sportistët shqiptarë me sindromën Down fitojnë medalje në Malta Open 2026
Special Olympics është një lëvizje sportive ndërkombëtare që u krijon mundësi trajnimi dhe gare personave me aftësi të kufizuara intelektuale, përmes disiplinave të ndryshme sportive.
Sportistët shqiptarë me sindromën Down fitojnë medalje në Malta Open 2026
Foto: Facebook/ Special Olympics Albania

Sportistët e Olimpikut Special Shqiptar kanë përfaqësuar Shqipërinë për herë të parë në kampionatin ndërkombëtar të notit Malta Open 2026, të zhvilluar nga 10 deri më 14 shtator në Maltë.

Katër sportistë shqiptarë me sindromën Down ishin pjesë e ekipit: Gersi Troka, Iris Hoxha, Joel Gërmënji dhe Alisa Boçi.

Special Olympics është një lëvizje sportive ndërkombëtare që u krijon mundësi trajnimi dhe gare personave me aftësi të kufizuara intelektuale, përmes disiplinave të ndryshme sportive.

Shqipëria u kthye nga Malta Open me rezultate të rëndësishme.

Gersi Troka fitoi medaljen e argjendtë në 50 metra stil delfin dhe u rendit i shtati në 100 metra stil i lirë. Troka ka përfaqësuar disa herë Shqipërinë në gara ndërkombëtare dhe në Lojërat Botërore Special Olympics Berlin 2023 fitoi medaljen e artë, duke u bërë sportisti i parë djalë i Special Olympics Albania që arrinte këtë rezultat në not.

Iris Hoxha fitoi medaljen e artë në 100 metra stil i lirë, ndërsa u rendit e shtata në 50 metra stil i lirë. Me këtë rezultat, ajo bëhet vajza e parë e Special Olympics Albania që fiton medalje të artë në disiplinën e notit.

Joel Gërmënji fitoi medaljen e argjendtë në 50 metra stil i lirë dhe u rendit i katërti në 25 metra stil i lirë. Malta Open ishte gara e tij e parë ndërkombëtare në not, megjithëse më herët ai ka përfaqësuar Special Olympics Albania në gara dhe kampionate dimërore në disiplinën e skive, ku ka fituar medalje argjendi dhe bronzi.

Edhe për Iris Hoxhën kjo ishte eksperienca e parë në një garë ndërkombëtare noti.

Pjesë e delegacionit ishte edhe Alisa Boçi, e cila për arsye shëndetësore nuk mundi të garonte në Malta Open. Boçi ka përfaqësuar më parë Shqipërinë në not në Lojërat Botërore Special Olympics Berlin 2023.

Sportistët u shoqëruan në Maltë nga trajneri Gentian Lama dhe drejtuesja e Olimpikut Special Shqiptar, Sara Bala Muça.

Pjesëmarrja e ekipit shqiptar në Malta Open 2026 u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, të Kulturës dhe të Sportit, përmes projektit “Programi Kombëtar Sportiv Gjithëpërfshirës”.

Përtej medaljeve, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë aktivitet synon të rrisë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara intelektuale në sport dhe t’u krijojë më shumë mundësi për të konkurruar në arenën ndërkombëtare.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë