Vuçiq: Serbia gati t'i shesë municion BE-së, blerësit mund të bëjnë me të çfarë të duan

Presidenti i Serbisë në një intervistë për një revistë gjermane tha se depot janë plot dhe se Serbia prodhon më shumë municion se Franca.

Vuçiq: Serbia gati t'i shesë municion BE-së, blerësit mund të bëjnë me të çfarë të duan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia i ka ofruar Bashkimit Evropian mundësinë për të blerë municion të prodhuar në Beograd, duke theksuar se pas shitjes “blerësit mund të bëjnë me të çfarë të duan”.

Në intervistën e publikuar më 30 tetor në revistën gjermane Cicero, Vuçiq tha se depot e municionit në Serbi janë plot dhe se vendi po prodhon gjithnjë e më shumë, veçanërisht predha për mortaja.

“Depot tona janë plot me municion dhe ne po vazhdojmë prodhimin, veçanërisht të predhave për mortaja. Ne prodhojmë më shumë municion se Franca,” tha Vuçiq.

“U kam ofruar miqve tanë në BE që të nënshkruajnë një kontratë për blerjen dhe marrjen e gjithçkaje që kemi,” shtoi ai.

I pyetur nëse ky municion mund të përfundojë në Ukrainë, Vuçiq u përgjigj: “Blerësit mund të bëjnë me të çfarë të duan.”

Vuçiç theksoi se Serbia mbetet ushtarakisht neutrale, por është e gatshme për bashkëpunim më të ngushtë me partnerët evropianë jashtë vendit.

“Gjithmonë kam thënë se Serbia është ushtarakisht neutrale. Ne tashmë bashkëpunojmë me miqtë tanë evropianë në Afrikë, Azi dhe rajone të tjera, dhe jemi të gatshëm të rrisim praninë tonë së bashku me forcat evropiane,” tha ai.

Serbia ka dënuar disa herë pushtimin rus të Ukrainës, por nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore, duke ruajtur neutralitetin tradicional ushtarak, ndërsa synon anëtarësimin në BE.

Në intervistën për Cicero, Vuçiq vlerësoi se industria e mbrojtjes e Serbisë mund të japë “një kontribut të jashtëzakonshëm” në bashkëpunimin evropian të mbrojtjes, duke shtuar se Beogradi është ende në pritje të përgjigjes zyrtare të BE-së për ofertën e tij.