Lëvizja Vetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për president
Sipas njoftimit të LVV-së, pavarësisht insistimit për arritjen e një marrëveshjeje, nga opozita nuk është paraqitur asnjë propozim konkret, ndërsa janë refuzuar edhe emrat e ofruar nga shumica.
Glauk Konjufca është propozuar si kandidat për president të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit 2025 dhe konstituimit të institucioneve të reja.
Nëpërmjet një njoftimi publik, partia më e madhe parlamentare në Kosovë, LVV, bëri të ditur se pas konstituimit pa vonesa të Kuvendit dhe Qeverisë, procesi i radhës mbetet zgjedhja e Presidentit.
Duke iu referuar përbërjes aktuale parlamentare, LVV-ja ka theksuar se ka synuar një kandidat konsensual, duke ftuar disa herë në takim subjektet më të mëdha opozitare për të diskutuar emra të përbashkët.
Sipas njoftimit të LVV-së, pavarësisht insistimit për arritjen e një marrëveshjeje, nga opozita nuk është paraqitur asnjë propozim konkret, ndërsa janë refuzuar edhe emrat e ofruar nga shumica.
“Në këto rrethana, Lëvizja Vetëvendosje pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, Glauk Konjufca”, thuhet në njoftimin e partisë.
Njëkohësisht, partia ka ftuar sërish subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat të tyre, duke ofruar edhe mbështetje me nënshkrime nga grupi parlamentar, nëse është e nevojshme.
Sipas LVV-së zgjedhjet e reja janë të panevojshme dhe ekziston mundësia për të arritur pajtueshmëri politike për të zgjedhur Presidentin dhe për të vazhduar përpara me proceset institucionale.
Seanca për votimin e presidentit të ri pritet të mbahet sonte, sipas burimeve të mediave në Kosovë.