Bisedimet indirekte mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Oman përfunduan pa asnjëra palë që të bënte lëshime të mëdha, sipas një raporti të publikuar të premten.
Dy palët nuk u takuan ballë për ballë, por zhvilluan diskutime të alternuara përmes diplomatëve nga Omani, ndërsa asnjëra nuk ndryshoi nga qëndrimi i saj fillestar gjatë bisedimeve, u thanë burime të njohura me diskutimet gazetës The Wall Street Journal.
Raporti shton se mbetet e paqartë se si këto bisedime ndikuan përpjekjet më të gjera për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike për programin bërthamor të Iranit, pasi pritshmëritë para takimit ishin tashmë të ulëta mes zyrtarëve rajonalë dhe analistëve.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i përshkroi bisedimet e së premtes si një “fillim të mirë”, duke thënë se ato mund të vazhdojnë nëse kapërcehet atmosfera e mosbesimit. Ai shtoi se ishte rënë dakord që procesi të vazhdojë dhe se palët mund të mblidhen sërish në Muskat në një datë të mëvonshme.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, tha se bisedimet ishin “shumë serioze”, duke ndihmuar në sqarimin e qëndrimeve të të dyja palëve dhe në identifikimin e fushave për përparim të mundshëm.
Irani dhe ShBA-ja rifilluan diplomacinë bërthamore indirekte të premten, pas javësh tensionesh të shtuara, të nxitura nga kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për veprime ushtarake kundër Iranit.










