Bashkimi Evropian (BE) vendosi në fuqi sot rregulloret e premtuara sipas marrëveshjes tregtare të arritur vitin e kaluar me ShBA-në, duke hequr taksat doganore që zbatonte ndaj shumë produkteve industriale me origjinë nga ShBA-ja.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim në llogarinë e saj në X, tha: "Sot BE-ja heq tarifat e zbatuara për importet e produkteve industriale të ShBA-së. Ky është një lajm i mirë për tregtinë transatlantike".
Ajo shtoi se kjo rregullore do të sigurojë më shumë parashikueshmëri, më shumë zgjedhje dhe çmime më të arsyeshme për bizneset dhe konsumatorët. Von der Leyen kujtoi se ky është një zotim i përmbushur në kuadër të deklaratës së përbashkët të publikuar mes BE-së dhe ShBA-së.
Sipas saj, marrëdhënia transatlantike vazhdon të mbetet partneriteti më i vlefshëm në botë.
- Marrëveshja tregtare BE-ShBA do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2029
Rregullorja kryesore që vë në zbatim ligjor marrëveshjen tregtare midis BE-së dhe ShBA-së hyri në fuqi sot, pas publikimit të saj në "Gazetën Zyrtare" të BE-së.
Në këtë kuadër, BE-ja hoqi taksat doganore për një numër të madh të produkteve industriale me origjinë nga ShBA-ja. Gjithashtu, ka filluar të sigurohet qasje preferenciale në treg për produkte të ndryshme bujqësore dhe produkte deti të importuara nga ShBA-ja.
Marrëveshja tregtare BE-ShBA, e cila përfshin gjithashtu mekanizma të ndryshëm mbrojtës për të mbrojtur interesat ekonomike të BE-së, do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2029.
Negociatat për marrëveshjen tregtare midis BE-së dhe SHBA-së përfunduan në korrik të vitit 2025 në Skoci, në fushën e golfit "Turnberry" në pronësi të presidentit të ShBA-së, Donald Trump.
Sipas kësaj marrëveshjeje, ndërsa BE-ja pranoi të hiqte tarifat doganore për produktet amerikane, pala e ShBA-së kishte deklaruar se do të aplikonte tarifë doganore prej 15 për qind për produktet me origjinë nga BE-ja.




















