| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Türkiye, Arabia Saudite, Jordania dhe Siria diskutojnë për projektin e madh të ndërlidhjes elektrike
"Investimet e Türkiyes në infrastrukturën energjetike vitet e fundit kanë kontribuar në sigurinë energjetike rajonale", thotë ministri turk i Energjisë, Bayraktar.
Türkiye, Arabia Saudite, Jordania dhe Siria diskutojnë për projektin e madh të ndërlidhjes elektrike
Türkiye, Arabia Saudite, Jordania dhe Siria diskutojnë për projektin e madh të ndërlidhjes elektrike

Türkiye po zhvillon bisedime me Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Sirinë për një projekt të madh të ndërlidhjes elektrike, që synon forcimin e bashkëpunimit energjetik rajonal, tha ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar.

Duke folur për Anadolu në margjinat e Kongresit të 25-të Botëror të Energjisë WPC, Bayraktar tha se bashkëpunimi mes vendeve është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm në një kohë kur tregjet globale të energjisë po përballen me kriza dhe pasiguri.

"Po diskutojmë një projekt të madh të ndërlidhjes, një projekt të linjës së transmetimit të energjisë elektrike, mes Arabisë Saudite, Jordanisë, Sirisë dhe Türkiyes", tha Bayraktar.

Ai shtoi se Türkiye synon gjithashtu të zgjerojë bashkëpunimin energjetik me vende të tjera, përfshirë Libinë, Irakun, Pakistanin dhe Uzbekistanin.

Bayraktar tha se investimet e Türkiye në infrastrukturën energjetike vitet e fundit kanë kontribuar në sigurinë energjetike rajonale, duke përmendur projekte të tilla si Gazsjellësi Trans-Anadoll i Gazit Natyror (TANAP), TurkStream, naftësjellësi Baku-Tbilisi-Ceyhan dhe naftësjellësi Irak-Türkiye.

Bayraktar theksoi nevojën për shfrytëzimin më të mirë të infrastrukturës ekzistuese, duke vënë në dukje se naftësjellësi Irak-Türkiye ka një kapacitet prej 1,5 milion fuçish në ditë, i cili duhet të shfrytëzohet plotësisht.

Türkiye synon ta zgjerojë kapacitetin e transportit të gazit natyror, tha Bayraktar duke shtuar se Ankaraja po e shqyrton mundësinë e përdorimit të kapacitetit të disponueshëm të TANAP-it për të transportuar sasi shtesë gazi drejt Turqisë dhe më tej drejt Evropës.

Infrastruktura e LNG-së ofron mundësi për furnizimin e Evropës me gaz

Bayraktar tha se investimet e Türkiyes në terminalet e rigazifikimit dhe infrastrukturën e gazit natyror të lëngshëm (LNG) ofrojnë mundësi për të sjellë më shumë LNG në vend dhe për ta transportuar më tej drejt Evropës.

Ai tha se Türkiye po vazhdon të ndjekë strategjinë e saj të diversifikimit energjetik, duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të burimeve të ndryshme të energjisë dhe forcimit të bashkëpunimit mes vendeve.

"Shfrytëzimi i përbashkët i burimeve të ndryshme të energjisë dhe rritja e bashkëpunimit mes vendeve janë të rëndësishme. Türkiye po zhvillon projekte jo vetëm për t'i përmbushur nevojat e veta, por edhe për të kontribuar në sigurinë energjetike në të gjithë rajonin dhe Evropën", tha Bayraktar.

Bayraktar tha se tregjet globale të energjisë po përballen me një nga krizat më të rënda në historinë moderne, por Türkiye nuk ka përjetuar ndërprerje të furnizimit me naftë ose produkte të naftës, pavarësisht trazirave në tregjet ndërkombëtare.

Zhvillimet që prekin prodhuesit kryesorë të naftës, si Venezuela, Rusia dhe Irani, kanë shtuar presionin mbi tregjet globale, tha ai duke shtuar se luhatjet e çmimeve po ndikojnë gjithashtu në ekonomitë në mbarë botën.

"Ndërprerjet e zgjatura në tregjet e energjisë mund të kenë pasoja serioze për ekonominë globale. Bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të forcohet për ta kapërcyer krizën. Tregjet e energjisë mund të kthehen në një gjendje më të ekuilibruar sapo të zbuten tensionet rajonale dhe të përfundojë lufta", tha Bayraktar.

Bayraktar shprehu gjithashtu solidaritetin e Türkiyes me Arabinë Saudite pas sulmeve të fundit të Huthive ndaj aeroporteve civile.

"Jemi këtu, pjesërisht, për të treguar se qëndrojmë përkrah vëllezërve dhe motrave tona saudite. Shpresojmë që këto sulme të urryera të marrin fund dhe dëshirojmë të ritheksojmë se do të qëndrojmë gjithmonë pranë vëllezërve dhe motrave tona saudite", tha ai.

"Populli turk qëndron përkrah popullit të Arabisë Saudite. Besojmë se vëllezërit dhe motrat tona saudite do t'i kapërcejnë këto ditë të vështira", shtoi ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë