Türkiye e sheh Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31) si një mundësi për të tërhequr investime ndërkombëtare të gjelbra dhe për ta përshpejtuar transformimin industrial, deklaruan zyrtarët të premten, duke e theksuar potencialin në prodhimin e pajisjeve për energjinë e rinovueshme, mobilitetin elektrik dhe riciklimin.
Duke folur në Samitin e Investimeve drejt COP31, të mbajtur në lstanbul, Ahmet Burak Dağlıoğlu, president i Zyrës së Investimeve dhe Financave të Türkiyes, tha se konferenca do të ndihmojë në prezantimin e potencialit investues të vendit para bizneseve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
“Ne kemi një histori shumë të fortë për të treguar”, tha ai, duke shtuar se Türkiye duhet t'ua komunikojë në mënyrë më efektive partnerëve ndërkombëtarë politikat e saj për tranzicionin e gjelbër.
Investimet miqësore me klimën po marrin hov
Investimet miqësore me klimën përbëjnë një prioritet në kuadër të strategjisë së Türkiyes për investimet e huaja direkte deri në vitin 2028, ndërsa deri më tani janë tërhequr 94 projekte në këtë fushë, tha Dağlıoğlu.
Ai shtoi se zyra gjithashtu vlerëson dhe u jep pikë projekteve në portofolin e saj bazuar në parimet e qëndrueshmërisë.
Ambiciet e Türkiyes shkojnë përtej prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke përfshirë edhe prodhimin e pajisjeve të nevojshme për këtë tranzicion.
Sipas Dağlıoğlut, Türkiye e ka kapacitetin më të madh të prodhimit të paneleve diellore në Evropë, si dhe një ekosistem të zhvilluar të prodhimit të pajisjeve për energjinë e erës, që u shërben si tregjeve vendase, ashtu edhe atyre ndërkombëtare.
Ai shtoi se kapacitetet e prodhimit të baterive pritet të zgjerohen, ndërsa politikat në sektorin e automobilave mbështesin transformimin e prodhuesve ekzistues dhe hyrjen e aktorëve të rinj në treg, si prodhuesi i automjeteve elektrike Togg.
Dağlıoğlu i theksoi gjithashtu mundësitë për riciklim dhe ripërdorim me vlerë të shtuar të materialeve, falë bazës industriale të Türkiyes dhe integrimit të saj në zinxhirët globalë të furnizimit.
Në kuadër të nismës Zero Mbetje, të nisur në vitin 2017, janë ricikluar 90 milionë tonë mbetje, ndërsa shkalla e rikuperimit të tyre ka arritur në rreth 37 për qind, tha ai.
Türkiye synon ta rrisë këtë nivel në 60 për qind deri në vitin 2035.
Zhvillimi i gjelbër mund ta nxisë rritjen ekonomike
Mehmet Emin Birpınar, përfaqësuesi i posaçëm i Türkiyes për COP31 pranë Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, tha se veprimet për t'i luftuar ndryshimet klimatike përfaqësojnë edhe një mundësi ekonomike.
“Ndryshimet klimatike nuk janë pengesë për zhvillimin tonë”, tha ai, duke iu referuar drejtimit që po marrin flukset financiare globale.
Birpınar e krahasoi zhvillimin e gjelbër me valët e mëparshme të industrializimit dhe të teknologjisë së informacionit, të cilat u kanë mundësuar vendeve të krijojnë pasuri, duke paralajmëruar se humbja e mundësive që ofron ky tranzicion mund ta lërë Türkiyen edhe më prapa.
Ai theksoi nevojën për t'i reduktuar emetimet e gazrave serrë, ndërkohë që infrastruktura dhe aktivitetet ekonomike duhet të përshtaten me kushtet klimatike në ndryshim.
Sipas tij, rritja e kërkesës për ftohje është një shembull se si ndikimet e ndryshimeve klimatike mund të rrisin konsumin e energjisë dhe, rrjedhimisht, edhe emetimet, në rastet kur energjia elektrike prodhohet nga lëndët djegëse fosile.





















