Vendet e G7-ës mund t’i përdorin rezervat strategjike të naftës
Ministrat e financave sinjalizojnë gatishmëri për të vepruar nëse tregjet përkeqësohen nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Ministrat e financave të G7-ës thanë të hënën se mund t’i përdorin rezervat strategjike të naftës për të stabilizuar tregjet globale, por theksuan se një hap i tillë “ende nuk është” i nevojshëm, pavarësisht luhatjeve të fundit të çmimeve.
Diskutimi u zhvillua gjatë një takimi të ministrave të financave nga ekonomitë më të avancuara të botës, të cilët ranë dakord për nevojën që të jenë të gatshëm të veprojnë nëse kushtet e tregut përkeqësohen, sipas një raporti të BFMTV-së.
Ministri francez i Ekonomisë, Roland Lescure, tha se grupi është i gatshëm t’i lirojë rezervat emergjente nëse është e nevojshme.
“Ne jemi të gatshëm të marrim masat e nevojshme, përfshirë përdorimin e rezervave strategjike për të stabilizuar tregun”, tha Lescure, duke shtuar se “ende nuk kemi arritur në atë pikë”.
Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm mes përplasjeve në Lindjen e Mesme, me naftën Brent që gjatë natës arriti përkohësisht në 119 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, përpara se të ulej në rreth 103 dollarë.
Lescure tha se vendet e G7-ës po e monitorojnë nga afër ndikimin në tregjet globale dhe tek familjet.
“Po monitorojmë tregjet, ndikimin në makroekonomi, por edhe te qytetarët tanë”, tha ai, duke shtuar se koordinimi mes ekonomive kryesore mbetet thelbësor për reagimin.
Ai theksoi gjithashtu se aktualisht nuk ka mungesë furnizimi me naftë në Evropë apo në ShBA, duke vënë në dukje se rreth 97 për qind e stacioneve të karburantit në Francë ishin të furnizuara të hënën në mëngjes.
Franca ka rezerva strategjike të naftës që mbulojnë rreth 117 ditë konsum, megjithëse zyrtarët thanë se çdo lirim i tyre ka të ngjarë të koordinohet në nivel ndërkombëtar.