| Albanian
LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Shpëtohet edhe anëtari i dytë i ekuipazhit të gjuajtësit amerikan “F-15” të rrëzuar nga Irani
Shpëtimi përmbyll një operacion të tensionuar 36-orësh në jugperëndim të Iranit, ku forcat amerikane dhe Garda Revolucionare e Iranit raportohet se po përpiqeshin të arrinin te oficeri amerikan.
Shpëtohet edhe anëtari i dytë i ekuipazhit të gjuajtësit amerikan “F-15” të rrëzuar nga Irani
Anëtari i dytë amerikan i ekuipazhit të F-15, i goditur nga Irani, u shpëtua nga forcat amerikane / Reuters
5 Prill 2026

Forcat speciale amerikane kanë shpëtuar të shtunën anëtarin e dytë të ekuipazhit të një avioni luftarak “F-15” të rrëzuar mbi Iran, raportoi portali “Axios” duke cituar tre zyrtarë amerikanë.

Operacioni i shpëtimit përmbylli një mision të tensionuar 36-orësh në jugperëndim të Iranit, ku forcat amerikane dhe Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) thuhet se po përpiqeshin të arrinin te oficeri amerikan i zhdukur.

Me këtë ndërhyrje të fundit, të dy anëtarët e ekuipazhit janë shpëtuar.

Një zyrtar amerikan tha se misioni u realizua nga një njësi elitare komandosh, e mbështetur nga një prani e gjerë ajrore, dhe i gjithë personeli amerikan i përfshirë është larguar tashmë nga Irani.

Dy burime thanë se piloti dhe oficeri i sistemeve të armëve arritën të komunikonin pasi u hodhën me parashutë nga avioni.

Piloti u gjet dhe u shpëtua brenda disa orësh pas rrëzimit të avionit, ndërsa anëtari i dytë i ekuipazhit u lokalizua një ditë më vonë.

Forcat speciale amerikane u dislokuan brenda Iranit të premten dhe sërish të shtunën si pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit.

Pasi u lokalizua edhe anëtari i dytë të shtunën, forcat amerikane nisën një operacion për ta nxjerrë, ndërkohë që njësi të IRGC-së po lëviznin drejt zonës, me sa duket për të penguar misionin.

Sipas burimeve, avionë të Forcave Ajrore të ShBA-së goditën forcat iraniane për t’i ndalur të arrinin në vendngjarje.

Gazeta “The New York Times” raportoi se pas shpëtimit të oficerit të armëve, dy avionë transporti të destinuar për evakuimin e komandove dhe aviatorëve mbetën të bllokuar në një bazë të largët në Iran.

Në përgjigje, komandantët dërguan tre avionë zëvendësues për të nxjerrë të gjithë personelin dhe shkatërruan avionët e dëmtuar për të mos rënë në duart e Iranit.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe anëtarë të lartë të administratës së tij e ndoqën operacionin nga Salla e Situatave në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë operacionit për shpëtimin e pilotit të premten, një sulm iranian goditi një helikopter amerikan “Black Hawk” të përfshirë në mision.

Edhe pse disa pjesëtarë të ekuipazhit u plagosën, helikopteri arriti të vazhdonte fluturimin.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë