| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Vijojnë tensionet dhe përplasjet me policinë në ditën e tretë të protestave në Tiranë
Protestës së studentëve në Tiranë në ditën e tretë iu janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë, ndërkohë protesta është shoqëruar edhe me akte të dhunës dhe përdorim të gazit lotsjellës nga policia.
Vijojnë tensionet dhe përplasjet me policinë në ditën e tretë të protestave në Tiranë
Vijojnë tensionet dhe përplasjet me policinë në ditën e tretë të protestave në Tiranë / Reuters

Në Shqipëri është mbajtur sërish sot protestë e thirrur nga studentë dhe e mbështetur nga qytetarë, ndërkohë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Protestës së studentëve në Tiranë në ditën e tretë iu janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë, ndërkohë protesta është shoqëruar edhe me akte të dhunës dhe me dëmtim të pronës publike dhe selive të disa institucioneve.

Protestuesit kanë marshuar në disa rrugë dhe sheshe të kryeqytetit dhe më pas një grupim është mbledhur para selisë së Ministrisë së Arsimit, ku janë shënuar incidente dhe përplasje.

Policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve tek Ministria e Arsimit dhe selia e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Protestuesit janë kundërpërgjigjur me gurë dhe sende të tjera ndaj forcave të policisë.

Protesta të ngjashme sot janë mbajtur edhe në Elbasan, Korçë dhe Vlorë, ndërsa ka paralajmërime që do të vazhdojnë dhe në qytete të tjera.

Protestuesit kanë pretenduar se shqetësimet e ngritura lidhen me nevojat e studentëve, të cilat sipas tyre nuk janë adresuar në dekadat e fundit, ndërkohë kërkesat e tyre janë zgjeruar dhe në çështje të tjera.

Disa nga problematikat me të cilat studentët kanë pretenduar se përballen lidhen me kushtet  në arsim, investimet e pamjaftueshme, kostot e larta të qirave, mungesën e konvikteve dhe kurrikulat që sipas tyre kanë mbetur të vjetruara.

Gjithashtu një pjesë e studentëve kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Studentët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë