| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Nis raundi i parë i bisedimeve ShBA-Iran në Islamabad
Me synimin për të arritur një armëpushim të përhershëm, të dy delegacionet po zhvillojnë takime të ndara me zyrtarë pakistanezë për “harmonizim paraprak” para bisedimeve direkte, thonë burimet.
Nis raundi i parë i bisedimeve ShBA-Iran në Islamabad
Nis raundi i parë i bisedimeve ShBA-Iran në Islamabad / Reuters
5 orë më parë

Raundi i parë i bisedimeve mes ShBA-së dhe Iranit u hap të shtunën në kryeqytetin pakistanez Islamabad, me synimin për të arritur një armëpushim të përhershëm pas një armëpushimi të përkohshëm dyjavor mes palëve ndërluftuese, thanë burime zyrtare për Anadolu.

Dy delegacionet po zhvillojnë takime të ndara me zyrtarë pakistanezë në një hotel me pesë yje në kryeqytet për të bërë një “harmonizim paraprak” para bisedimeve të drejtpërdrejta mes palëve, shtuan burimet.

“Nuk mund të themi për momentin se kur do të ulen përballë njëra-tjetrës dy delegacionet. Aktualisht, ata po zhvillojnë bisedime me zyrtarët pakistanezë”, thanë burimet.

Bisedimet me rëndësi të lartë, të quajtura “Bisedimet e Islamabadit”, nisën menjëherë pasi delegacionet iranian dhe amerikan zhvilluan takime të ndara më herët gjatë ditës me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.

Delegacionet e ShBA-së dhe Iranit mbërritën veçmas në Islamabad për këto bisedime, që përbëjnë një angazhim të rëndësishëm dypalësh dhe të nivelit të lartë mes dy vendeve që nga viti 1979.

Zv/presidenti i ShBA-së JD Vance kryeson delegacionin amerikan, ku përfshihen edhe të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Delegacioni iranian drejtohet nga kryetari i parlamentit Bagher Qalibaf dhe përfshin ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi dhe zëvendësin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ali Bagheri Kani, ndër të tjerë.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, përfaqëson Islamabadin në këto bisedime, ndërsa shefi i ushtrisë, gjenerali Asim Munir, dhe ministri i Brendshëm, Mohsin Naqvi, po e asistojnë atë, sipas burimeve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë