Autoritetet greke urdhëruan të dielën evakuime të reja, ndërsa një zjarr i madh vazhdon të përhapet në perëndim të Athinës për të tretën ditë. Dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë shkaktuar zjarrin, raportoi e përditshmja greke “Kathimerini”.
Urdhër për evakuim u dha për parkun industrial të Megarës dhe vendbanimet Kandyli, Aghia Skepi, Toutouli, Nea Dafni, Pefkeneas dhe Aghios Sarantis, ndërsa flakët po përparonin drejt qytetit të Megarës.
Pas shqyrtimit të pamjeve filmike dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve, hetuesit e Shërbimit Zjarrfikës arritën në përfundimin se zjarri mund të jetë shkaktuar nga shkëndijat e kabllove që përcillnin energjinë elektrike nga një park privat me turbina me erë drejt rrjetit energjetik në rajonin e Viotias.
Dy të dyshuarit, një inxhinier elektrik përgjegjës për projektin dhe personi që mbikëqyrte instalimin e kabllove, përballen me akuza penale për zjarrvënie të mundshme me dashje. Policia po kërkon gjithashtu arrestimin e pronarit të parkut me turbina me erë.
Rreth 500 zjarrfikës, të mbështetur nga 134 automjete zjarrfikëse, tetë avionë për hedhjen e ujit dhe ekipe nga Franca e Rumania, vijuan përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarrit, pavarësisht erërave që kalonin shpejtësinë 100 kilometra në orë.
Transmetuesi publik ERT raportoi se rreth 200 shtëpi ishin shkatërruar ose dëmtuar në Porto Germeno, ndërsa ishin djegur rreth 10 mijë hektarë pyje dhe shkurre.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se Greqia po përballet me “ditë jashtëzakonisht të vështira” për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe premtoi mbështetje shtetërore për banorët, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar ose dëmtuar.
Zjarri shpërtheu të premten në Aghios Vassilios dhe më pas u përhap përmes Porto Germenos drejt Megarës.
Autoritetet njoftuan se vatra më të vogla zjarri vijojnë të jenë aktive edhe në disa zona të tjera të Greqisë.
Javën e kaluar, tre zjarrfikës humbën jetën gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarreve të tjera në ishullin jugor të Kretës dhe në Peloponez.






















