Ushtria izraelite ka avancuar në fshatra të vendosura në veri të lumit Litani dhe ka arritur në periferi të qytetit Nabatieh në jug të Libanit.
Një burim i lartë ushtarak libanez tha për Anadolu se forcat izraelite “kanë arritur në fshatra dhe qyteza në veri të lumit Litani, përfshirë Zawtar al-Sharqiyah dhe Shqif Arnoun, si dhe në periferi të qytetit Nabatieh”.
Sipas tij, kjo është shoqëruar me një shtim të sulmeve dhe inkursioneve izraelite në fshatra dhe qyteza të tjera në jug.
“Ushtria libaneze ka evakuuar pozicionet e saj nga fshatrat dhe qytezat që kanë rënë nën kontrollin izraelit”, për të garantuar sigurinë e ushtarëve libanezë, tha burimi, duke shtuar se sulmet e ushtrisë izraelite kanë shkaktuar viktima në radhët e ushtrisë libaneze.
“Nuk ka prani të ushtrisë libaneze në zonat ku ndodhet pushtimi në jug të Libanit”, shtoi ai.
Burimi theksoi se prioriteti i ushtrisë libaneze në këtë fazë është forcimi i stabilitetit të brendshëm, duke shtuar se përshkallëzimi aktual izraelit i parapriu takimeve ushtarake të organizuara nga ShBA-ja me Izraelin.
Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj Libanit pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill dhe që u zgjat për 45 ditë duke filluar nga 17 maji, pas bisedimeve indirekte të ndërmjetësuara nga ShBA-ja.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmet izraelite që nga 2 marsi kanë shkaktuar mbi 3.350 viktima në mbarë vendin.





















