Türkiye intensifikon përpjekjet ligjore për digjitalizimin e lirës turke

Sipas Programit Vjetor Presidencial 2026, projekti “Lira turke digjitale” i Bankës Qendrore të Türkiyes do të hyjë në fazë të re vitin e ardhshëm, me përfundimin e simulimeve dhe analizës së ndikimit të monedhës digjitale.

By
Türkiye intensifikon përpjekjet ligjore për digjitalizimin e lirës turke / TRT Balkan

Türkiye po punon për të zhvilluar dhe lëshuar një version digjital të monedhës vendase, lirës, pasi përpjekjet për krijimin e kornizës së saj ligjore kanë marrë vrull. 

Sipas Programit Vjetor Presidencial për vitin 2026, projekti "Lira turke digjitale", i udhëhequr nga Banka Qendrore e Türkiyes, do të hyjë në një fazë të re vitin e ardhshëm. Si pjesë e analizës së ndikimit, Banka do t'i ketë përfunduar simulimet e monedhës digjitale.

Banka Qendrore do të përcaktojë kërkesat teknike për shkëmbimin e letrave me vlerë me lirën digjitale dhe do të hartojë rregullore. Gjithashtu do të bëhen analiza të provës së konceptit mbi përdorimin e monedhës digjitale në bursat e letrave me vlerë të tokenizuara.

Në muajin shtator, Banka Qendrore bëri një thirrje për projektin e pjesëmarrjes në ekosistemin e lirës turke digjitale. Banka tha se monedha digjitale do të jetë një pjesë kyçe e ekosistemit 'fintech' të vendit dhe se po punohet për të krijuar infrastrukturën për përdorime inovative të monedhës digjitale.

Banka do të publikojë një raport progresi për fazën e dytë të projektit të lirës turke digjitale në muajt në vijim.

Thirrja e bankës për pjesëmarrje synon të inkurajojë bankat, institucionet e pagesave dhe parave elektronike, si dhe ofruesit e zgjidhjeve teknologjike që të zhvillojnë përdorime inovative për monedhën në kategori të ndryshme.