| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Zyrtari i lartë i NATO-s: Lëvizjet e trupave amerikane nuk paraqesin “rrezik” për krahun lindor
“Ekziston një balancë në këtë tërheqje”, tha Remigijus Baltrenas lidhur me ndryshimet e raportuara të trupave amerikane në Europë.
Zyrtari i lartë i NATO-s: Lëvizjet e trupave amerikane nuk paraqesin “rrezik” për krahun lindor
Zyrtari i lartë i NATO-s: Lëvizjet e trupave amerikane nuk paraqesin “asnjë rrezik” për krahun lindor / AA

Një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s deklaroi të premten se ndryshimet e raportuara në dislokimin e trupave amerikane në Evropë nuk paraqesin “asnjë rrezik” për krahun lindor të aleancës.

Duke folur për radion publike lituaneze LRT, drejtori i përgjithshëm i Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar të NATO-s, Remigijus Baltrenas, tha se parandalimi dhe mbrojtja përgjatë kufirit lindor të NATO-s mbeten të paprekura pavarësisht rregullimeve në praninë ushtarake amerikane në Evropë.

“Aktualisht nuk ka asnjë rrezik për parandalimin dhe mbrojtjen në krahun lindor”, tha Baltrenas.

Komentet e tij erdhën pasi raportime të ndryshme thanë se ShBA-ja ndaloi dislokimin e më shumë se 4 mijë trupave në Poloni si pjesë e një rotacioni të planifikuar, ndërsa plane të mëhershme të Pentagonit përfshinin tërheqjen e rreth 5 mijë trupave nga Gjermania.

Baltrenas pranoi se lëvizjet e trupave paraqesin sfida, por tha se aleatët europianë të NATO-s po reagojnë duke rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe duke përshpejtuar përpjekjet për prokurime ushtarake.

“Ekziston një balancë në këtë tërheqje”, tha ai. “Nuk do ta fsheh faktin që ka sfida dhe ato duhet të adresohen; ne po i adresojmë ato”.

Duke folur për luftën në Ukrainë, zyrtari i NATO-s tha se aftësia e Kievit për të goditur objektiva thellë brenda territorit rus po ndryshon dinamikën e konfliktit në favor të Ukrainës.

“Në nivel strategjik, po shohim një ngërç ku asnjëra palë nuk duket se ka iniciativën”, tha Baltrenas.

“Megjithatë, ukrainasit kanë bërë përparim të konsiderueshëm me goditjet me rreze të gjatë në territorin rus, gjë që i jep Ukrainës avantazh për të provuar të ndryshojë rrjedhën e luftës”, shtoi ai.

Ai përmendi gjithashtu atë që e cilësoi si rritje të presionit të brendshëm në Rusi, duke iu referuar vështirësive ekonomike, lodhjes nga lufta dhe përçarjeve mes elitës politike.

“Rusia ka probleme dhe sfida serioze të brendshme, jo vetëm brenda elitës politike, ku po shfaqen mosmarrëveshje dhe ku po kuptohet se kjo luftë e gjatë ka sjellë humbje të mëdha, por edhe mes vetë qytetarëve rusë”, tha ai.

Ai shtoi se mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore do të jetë thelbësore për t’i mundësuar Ukrainës të negociojë “në kushte të favorshme”.

“Nga ana jonë, ne duhet të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën me kapacitetet që ajo kërkon”, tha Baltrenas.

“Kjo është ajo që do t’i lejojë Ukrainës të ulet në tryezën e negociatave në kushte të favorshme dhe të negociojë një formë marrëveshjeje”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë